Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përgjatë muajit dhjetor u angazhua në një sërë aktivitetesh që shënuan fundin e vitit 2024. Në vijim, sjellim një përmbledhje të momenteve kryesore, duke ju uruar një fundvit të mbarë dhe me shpresën që viti 2025 të sjellë më shumë suksese e të arritura për të gjithë ne.
Fondacioni Jahjaga organizoi një ngjarje festive për lansimin e edicionit të 9-të të revistës “Za”, ku morën pjesë zyrtarë, ambasadorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Një nga folëset ishte Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova, historia e së cilës është pjesë e këtij edicioni të “Za”. Revista përshkruan fragmente nga më shumë se 30 vjet aktivizëm të Rogovës për të drejtat e grave, vajzave dhe të drejtave të njeriut… nga themelimi i Shoqatës Motrat Qiriazi, e cila solli edukim për mijëra vajza në zonat rurale gjatë viteve të 90-ta, deri te avokimi i saj ndërkombëtar për paqe, siguri dhe drejtësi për gratë dhe vajzat e ndryshme.
Në fjalimin e saj, Rogova uroi Fondacionin Jahjaga për edicionin e 9-të të “Za”. Ajo ndau një histori për takimin e parë të Presidentes Jahjaga me gratë që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës, dhe veprimet që ndërmori Presidentja për themelimin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.
“Nuk është e rastësishme që revista quhet “Za””, tha Rogova. “Sepse Presidentja Jahjaga ka qenë zëri i grave dhe vajzave në Kosovë, në rajon dhe ndërkombëtarisht”.
Në ekspozitën e organizuar nga Integra, e kuruar nga Eliza Hoxha dhe fotograf Arben Llapashtica, u paraqitën profilet e 10 grave lidere që përfaqësojnë diversitetin dhe fuqinë transformuese në Kosovë.
Igballe Rogova ishte një ndër gratë e përzgjedhura, duke ndarë mesazhin e saj:
“Guxoni, ëndërroni, ndryshoni. Mos lejoni të ju shkelen të drejtat”, tha ajo.
Në një diskutim mbi rolin e legjislativit në adresimin e dhunës me bazë gjinore, Menaxherja e Programit Kundër Dhunës në RrGK, Adelina Berisha, theksoi nevojën për angazhimin e burrave në promovimin e barazisë gjinore. Ajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes grave në shoqërinë civile dhe institucioneve për të arritur ndryshime të qëndrueshme.
“Barra e barazisë gjinore na ka mbetur në dorën vetëm neve grave, po shikojmë si t’i sjellim burrrat në tavolinë e ta ndajmë bashkë. Ky mesazh duhet të shkojë edhe te deputetët e burrat tjerë që janë në institucione, por edhe te burrat tjerë. Puna më e madhe ka nisur kur ka nisur bashkëpunimi i grave mes shoqërisë civile dhe institucioneve. Qëllimi është përtej egos sonë. Jemi treguar bashkëpunuese me njëra-tjetrën”, u shpreh ajo mes tjerash.
Po ashtu, gjatë dhjetorit Art Without Limit International Film Festival përmbylli edicionin e 5-të me radhë.
Më 3 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, u mbajt nata përmbyllëse e festivalit. Mes të tjerëve, edhe Igballe Rogova ndau një çmimi, atë për “Best Story in the Film for Women Empowerment”, duke vlerësuar organizatorët për përkushtimin e tyre në promovimin e historive frymëzuese.
Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në fakultetin Juridik u organizua një bashkëbisedim me studentë nga Institucioni i Avokatit të Popullit me temën: “Vlerat dhe parimet e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vend, si dhe roli i Avokatit të Popullit në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.
Igballe Rogova ndau përvojat e saj në një bashkëbisedim me studentët mbi vlerat dhe parimet e të drejtave të njeriut, duke rikujtuar se këto të drejta janë të barabarta dhe të patjetërsueshme për të gjithë.
Ajo ditë rikujtoi se të drejtat dhe liritë themelore janë të patjetërsueshme dhe të barabarta për të gjithë njerëzit, pavarësisht gjinisë, moshës, përkatësisë etnike, statusit social apo orientimit seksual. Të drejtat e njeriut përfshijnë të drejtën për jetë dhe siguri, të drejtën për arsim, për punësim të barabartë, të drejtën për liri të shprehjes, si dhe mbrojtjen nga dhuna dhe diskriminimi.
Me sukses u përmbyllën edhe 10 tryeza të rrumbullakëta mbi barazinë gjinore në proceset zgjedhore, të organizuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, OSBE-ja dhe RrGK. Kontributi i RrGK-së ishte shumë i mirëseardhur nga të gjithë.
Edhe në vitin 2025, Rrjeti i Grave të Kosovës do të vijojë angazhimin në promovimin e barazisë gjinore dhe të drejtave themelore të njeriut, duke u përkushtuar në fuqizimin e grave dhe përmirësimin e jetës së të gjitha komuniteteve në Kosovë.