Edhe sivjet 8 marsi, dita ndërkombëtare e gruas, në Kosovë u shënua me një sërë aktivitesh të ndryshme, të cilat u organizuan nga shoqëria civile, aktvistët, sindikalistët, akademikët e studentët. Të bashkuar nën ombrellën Kolektivi u mblodhën nën emrin “MARShojmë S’Festojmë”, emër ky i cili tashmë po përdoret për të dytën herë gjatë organizimeve për ditën e gruas.
Këtë vit, në Prishtinë u marshua për të drejta ekonomike dhe shoqërore, si parakusht për një qytetari të njëmendët, për të kërkuar punësim pa shfrytëzim, barazi, liri dhe drejtësi shoqërore, punësim me pagë për një jetë me dinjitet si dhe kundër seksizimit, homofobisë, transfobisë dhe racizimit. Gjithashtu, u bë thirrje për sigurime shëndetësore, siguri në punë dhe punë pa diskriminim për të gjithë pa dallim etnie, moshe, shkollimi, orientimi seksual dhe aftësie.
Në Prishtinë aktivitetet për shënimin e kësaj dite filluan qysh në orët e hershme të mëngjesit, ku organizatorët dolën rrugëve të kryeqytetit për të mobilizuar qytetarë të përkrahin marshin, si dhe për t’i njoftuar ata rreth rëndësisë së kësaj date. Më pas, nga ora 10:00 në Biblotekën Kombëtare u mbajt promovimi i Manualit të Politikave për Adresim të Ngacmimit Seksual në Universitetet Publike, manual ky i përpiluar nga organizata Artpolis.
Në ora 12:00, u mbajt marshi protestues “MARShojmë S’Festojmë”, ku më shumë se 500 persona marshuan nga Sheshi Zahir Pajazi, duke kaluar nga Banka Qëndrore e Kosovës, Komuna e Prishtinës, Gjykata Themelore e deri tek Parlamenti/Qeveria e Kosovës. Me parulla ne dorë, të gjithë brohorisnin thënie nga Manifesti i përgaditur nga Kolektivi, sikurse “Duam punë, jo ngacmim!”, “Duam që puna e fëmijëve të ndalet!”.
Aktivitetet vazhduan me punëtorinë e organizuar nga OJQ PEN në orën 14:30 për integrimin e perspektivës gjinore në nivel të organizatave dhe programeve. Aktivitetet u përmbyllën me shfaqjen “Copë Copë” të prodhuar nga ARTPOLIS, e cila u shfaq në Teatrin Oda.