Friedrich Ebert Stiftung (FES) në bashkëpunim me Qendrën Kërkimore për Paqen, Demokracinë dhe Politikën Alternative (DEMOS) në Turqi, me 12, 13 dhe 14 maj 2017, organizuan në Stamboll konferencën dhe punëtorinë "Lufta e Grave për Paqe: Serbia, Kosova dhe Turqia”. Konferenca ofroi hapsirë për ndarjen e përvojave dhe të analizoi aktivizmin e grave në ndërtimin e paqes të vendeve të ndryshme, në të cilat mungon integrimi i perspektivës së grave në bisedimet e negociatave për paqe midis zyrtarëve të shteteve përkatëse.
Në mesin e shumë folëseve, Kosovën e përfaqësuan Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), Nazlie Bala nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Vjollca Krasniqi nga Fakulteti Filozofik në Universitetin e Prishtinës.
Në ditën e parë të konferencës gratë nga shoqëria civile dhe politika ndanë përvojat e tyre lidhur me kujtesën dhe identitetin, përderisa gratë nga Turqia folën për pjesëmarrjen e grave në procesin e ndërtimit të paqes.
Nga Kosova znj. Bala dhe znj. Krasniqi ndanë përvojat për luftën e përfshirjes së grave në poltikë dhe negociata nga perspektiva politike dhe perspektiva gjinore, ndërsa znj. Rogova theksoi mundin dhe rolin e grave të shoqërisë civile në këtë proces. Ajo tutje tregoi për avokimin ndërkombëtar dhe vendor për zbatimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (RKSOKB) 1325 që nga miratimi i saj në vitin 2000 dhe se si pas luftës në Kosovë, ajo përdori Rezolutën për të kërkuar më shumë takime mes zyrtarëve të KB-së, vendim-marrësve ndërkombëtarë dhe grave në Kosovë.
Duke anashkaluar pengesat me të cilat ndesheshin dhe duke marrë parasysh përkushtimin e grave që të kontribojnë në ndërtimin e paqes dhe të marrin pjesë në negociata, znj. Rogova kujtoi: “Ishte kjo periudha kur RrGGK dhe Rrjeti i Grave në të Zeza vendosëm të krijojmë Koalicionin e Grave për Paqe, duke bashkuar gratë nga Kosova dhe Serbia të cilat bazuar në Rezolutën 1325, kërkonin të kishte së paku një grua në ekipin negociator të të dy shteteve duke theksuar rëndësinë e lobimit për pjesëmarrjen e grave në ndërtimin e paqes”.
Konferenca dy-ditore u përmbyll me reflektimet e aktivisteve se si të sillet paqja në agjenda në kohëra të vështira dhe si të përdoren praktikat dhe metodat krijuese më të mira të aktivizmit të grave në rrugëtimin e ndërtimit të paqes.