Në kujtim të Dua Dauti Kadriut, aktivistes frymëzuese

 Më 6 korrik, një engjëll u largua nga toka. Ne në RrGK vazhdojmë të mbajmë zi për humbjen e mikes dhe aktivistes sonë të dashur, Dua Dauti-Kadriu (36). 
     Emri i Duas do të thotë dashuri. Me veprat dhe fjalët e saj, ajo përmbushi profecinë e emrit të saj. Dua ishte gjithmonë e durueshme, e sjellshme, e ndershme, e kujdesshme dhe gjithmonë e gatshme me fjalë inkurajuese. E mbushur me dritë dhe jetë, atë nuk e ndalonte asgjë negative dhe vazhdimisht nxirrte të mirat në cilëndo situatë. 
     Jeta e Duas ishte e mbushur përplot me kontribute, shumë prej të cilave edhe nuk ja dimë. Këtu, me përulësi, përmendim vetëm disa nga kontributet e saj në lëvizjen e të drejtave të grave. 
     Në vitet 2005-2006 ajo ka punuar si hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, ku kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme për hulumtimin Historia, është edhe Tregimi i saj. Ajo kaloi ditë (dhe netë) duke bërë intervista të historisë gojore me aktivistet e të drejtave të grave dhe artistët nga Prizreni, Krusha e Madhe, Vushtrria dhe Prishtina, duke dokumentuar dhe ruajtur historitë e tyre të aktivizmit për gjeneratat që do të vinin. Në vitin 2011-2012, ajo iu bashkangjit Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si anëtare e stafit, duke hulumtuar dhe shkruar Me çfarë çmimi? Alokimet Buxhetore për Zbatimin e Kornizës Ligjore kundër Dhunës në Familje në Kosovë. Dua ishte një hulumtuese intelegjente dhe perceptuese, e aftë në mbledhjen e informatave nga institucione dhe akterë të ndryshëm, me një prirje për analizë të thellë.
Në vitet që pasuan, kurdo që RrGK kishte nevojë për kolegë ose hulumtues (sepse dikush ishte larguar), Dua ishte aty të na ndihmonte pa përtesë, duke udhëtuar në Mamushë, në Prizren dhe në komuna tjera, ani pse e lajmëronim në momentin e fundit. Një komunikuese e shkëlqyer, bisedoi lirisht me gra e burra të ndryshëm në turqisht, boshnjakisht, shqip dhe serbisht, duke përfshirë edhe tema të vështira si dhuna në familje. Ajo ishte një vullnetare e pashoq në RrGK, duke na dhuruar mijëra orë për të kontribuar në avancimin e të drejtave të grave. Ajo mori pjesë në gati çdo mbledhje dymujore të RrGK-së, duke përcjellë në mënyrë aktive nismat e rrjetit.
Në vitin 2015, Dua u bë anëtare individuale e RrGK-së. Ajo vazhdimisht promovoi RrGK-në dhe punës së saj, duke rekrutuar disa miq, anëtarë të familjes dhe bashkëpunëtorë për t’u bashkuar me RrGK si anëtarë individual.
Në vitin 2015, organizatat anëtare të RrGK-së zgjodhën Duan si anëtare të Bordit të Drejtorëve të RrGK-së, ku ajo shërbeu gjatë vitit 2016 dhe 2017, përfshirë shkurtimisht edhe si Kryetare e Bordit të RrGK-së. Në këtë pozitë, ajo vazhdoi të kontribuonte ndjeshëm në punën e RrGK-së duke inkurajuar me pozitivitetin dhe idetë e saj.
Me energjinë dhe angazhimin e saj të palëkundur, Dua ishte një rol-model, frymëzuese për gratë e tjera. Ndërsa kujdesej për dy fëmijët e saj si një nënë e përkushtuar, ajo gjithashtu punonte me orar të plotë. Ndërkohë, ajo njëkohësisht vazhdoi shkollimin e saj. Për vite me radhë ajo studioi netëve të vona për të përfunduar studimet e saj në psikologji dhe juridik, duke kaluar provimin e jurisprudencës.
Dua gjithmonë ndau kohën nga orari saj i ngjeshur për të mbështetur të tjerët. Ajo përdori diplomën e saj në psikologji për këshillim, jo si punë të paguar, por duke i dhënë një vëmendje miqësore kujtdo që i nevojitej, gjithmonë e gatshëm të dëgjonte dhe të ofronte mbështetje. Ajo ishte një mike e jashtëzakonshëm që gjithmonë solli jetë, dritë dhe gëzim kudo që mblidheshim.
Dua i shërbeu komunitetit të saj në shumë mënyra. Ajo ishte anëtare e Komisionit të Pavarur për Media në vitin 2017, dhe avokoi për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, në mënyrën e vet, për vite me rradhë. Për shembull, pas regjistrimit të fëmijëve të saj në shkollë, ajo ishte e shqetësuar për mënyrat e dobëta të ushqyerit të fëmijëve dhe nga ndikimi negativ që kishte në arritjen akademike. Ajo shqetësohej për fëmijët të cilët nuk mund të përballonin ushqime "të shpejta" (edhe pse jo të shëndetshme) gjatë pushimeve të shkollës, pasi ata ngacmoheshin nga fëmijët e tjerë; dhe për ndikimin negativ që kishte konsumi i sheqerit në aftësinë e fëmijëve për t’u përqëndruar dhe për të mësuar. Ajo avokoi si në shkolla ashtu edhe në televizion që prindërit dhe mësuesit ti ndalonin “ushqimet e shpejta” në shkolla, duke promovuar një dietë të shëndetshme për të gjithë fëmijët. Ajo ftohej rregullisht në emisione televizive për të diskutuar mbi teknikat e edukimit të drejtë dhe shëndetin e fëmijëve.  
Dua ka lënë pas familjen e mrekullueshme dhe përkrahëse, Halitin bashkëshortin; fëmijët Diellën dhe Alpin; dhe familjet Kadriu dhe Dauti nga Prishtina, Gjilani dhe Prizreni. Ne, në RrGK bashkëndjejmë me familjen e saj.
Dua do të jetojë përgjithmonë në zemrat, kujtimet dhe punën tonë.