SHEPF avokon për hapjen e një zyre këshilluese gjinekologjike në Gjakovë

 Me 7 nëntor, Shoqata për Edukim dhe Përkujdesjen e Familjes (SHEPF) mbajti takimin e fundit në kuadër të projektit “Një grua e edukuar, një shoqëri e shëndoshë”, në të cilin morën pjesë përfaqësueset e organizatave Femrat Aktive të Gjakovës, Qendra e Kosovës për Zhvillim dhe Integrim Multikulturor, Medica Kosova, disa asambleiste të Kuvendit Komunal të Gjakovës, përfaqësuese nga Qendra për Punë Sociale në Gjakovë, përfaqësueset nga Qendra e Mjekësisë Familjare si dhe përfaqësueset nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK). 
       Fillimisht drejtoresha e SHEPF, znj. Bahrije Deva informoi të pranishmet për qëllimin e përgjithshëm të këtij projekti, rëndësinë e hapjes së zyrës këshilluese gjinekologjike vetëm për vajzat e reja si dhe aktivitetet e mbajtura në Dobrosh, Molliq, Korenicë dhe Lipovec. Takimet janë mbajtur me nxënësit dhe gratë e këtyre fshatrave. 
       Blerta Domi, gjinekologe, theksoi se vajzat janë të interesuara që të kenë më shumë informata për problemet shëndetësore me të cilat mund të përballen moshataret e tyre. "Kur vajzat e reja fillojnë të shkojnë për vizita gjinekologjike, ngurojnë të flasin për këtë çështje, biles nuk u tregojnë as shoqeve nga frika se do të paragjykohen", tha znj. Domi. 
        Ndër çështjet që u diskutuan, të pranishmet theksuan edhe problemin e martesave të hershme të vajzave të reja, duke përmendur rastin e fundit të një vajze rome e cila në moshën 14 vjeçare kishte lindur fëmije. 
 Asambleistet e Kuvendit Komunal të Gjakovës, Mimoza Shala dhe Vjollca Roka, deklaruan se do të bëjnë trysni, deri sa të arrihet qëllimi, që në çdo mbledhje të Kuvendit Komunal të flitet për hapjen dhe funksionalizimin e zyrës këshilluese gjinekologjike vetëm për vajza të reja duke theksuar rëndësinë e kësaj zyre. 
        Disa nga rekomandimet e dala gjatë takimeve vetëdijesuese me vajza dhe gra, takimet avokuese si dhe nga tryezat e rrumbullakëta janë: Të krijohet një “Pesëkëndësh” mes prindërve, mësuesve, nxënësve, punëtorëve mjekësor dhe OJQ-ve që të ketë takime vetëdijesuese më të shpeshta për çështjet që lidhen me shëndetin dhe të drejtat e të rinjve; Të ketë së paku nga një ditë në muaj vizitë e këshilla gjinekologjike nëpër shkolla të mesme të ulëta e të mesme të larta; Të avokohet në institucione për futjen e lëndës së edukimit shëndetësor, me fokus edukimin seksual; etj. 
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.