Me 12 mars 2018, në Hotel Sirius në Prishtinë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) publikoi raportin e ri hulumtues: Nga Fjalët në Vepra? Monitorimi i reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore në Kosovë.
“Ishte viti 2004 kur ne protestuam publikisht për herë të parë për mbrojtjen nga dhuna në familje. Në atë kohë dhuna ishte një temë tabu dhe private”, u shpreh Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e RrGK-së në fjalën e saj të hapjes. "Që atëherë kemi parë progres institucional, nga Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje deri te strategjitë dhe planet e veprimit kundër dhunës në familje. Sidoqoftë, korniza ligjore ende nuk zbatohet mjaftueshëm. Siç thotë edhe titulli i raportit tonë të ri, ne nuk duam me fjalë. Ne duam vepra!”
Gjatë lansimit të këtij publikimi, RrGK diskutoi rekomandimet me institucionet kyçe përgjegjëse për zbatimin e kuadrit ligjor përkatës. Adelina Berisha, bashkë-autore, prezantoi të gjeturat kyçe të hulumtimit, disa prej të cilave janë:
- Koordinatori Kombëtar për Dhunën në Familje është një pozitë politike, përkatësisht ai i Zëvendësministrit të Drejtësisë; prandaj, pa një qeveri funksionale, Kosova ka pasur mungesë të këtij organi koordinues kyç për më shumë se një vit. Ndoshta pjesërisht për këtë, është zbatuar vetëm rreth 19% e strategjisë së dytë kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe plani i veprimit 2016-2020.
- Bashkëpunimi ndërinstitucional mbetet i dobët, duke përfshirë mungesën e të dhënave gjithëpërfshirëse dhe sistemeve të menaxhimit të rasteve.
- Strehimoret, me shumë sfida, përpiqen të qëndrojnë të hapura dhe të ofrojnë shërbime të qëndrueshme dhe cilësore.
- Programet e rehabilitimit dhe riintegrimit mbeten pothuajse joekzistuese për të dy palët, autorët dhe viktimat.
- Disa institucione vazhdojnë të fajësojnë viktimat për dhunën e kryer ndaj tyre, gjë që kontribuon gjithashtu në dhënien e dënimeve të ulëta ose të mos dënohen fare. Kjo mund të çojë në recidivizëm.
“Mentaliteti është sfida kryesore”, tha Sevdije Morina, Zëvendës Kryeprokurore e Shtetit. “Dhuna nuk është çështje private”, vazhdoi znj. Morina. “Dhuna duhet të trajtohet si shkelje e ligjit pavarësisht nga deklarata e viktimës. Ne kemi punuar t’u themi prokurorëve se ata duhet të ndërtojnë rastin pavarësisht deklaratave të viktimave, pasi viktimat mund të ndryshojnë deklaratat e tyre”.
“Ndërkohë që personat që mbajnë pozitën e Koordinatorit Kombëtar kanë ndryshuar, sfidat kanë mbetur”, vërejti Naim Qelaj, Zëvendësministër i Drejtësisë dhe Koordinator Kombëtar për Dhunën në Familje nga Ministria e Drejtësisë. “Kam mësuar shumë nga ky raport dhe besoj se të gjitha rekomandimet janë në përputhje me Strategjinë Kombëtare. Premtoj se do t’i adresoj të gjitha rekomandimet”. Ai tha se së shpejti do të thërriste një takim ndërministror për të siguruar që të gjitha institucionet gjithashtu do të jenë në dijeni të rekomandimeve dhe se do të punojnë për t’i zbatuar ato.
“Çdo gjë që inicohet nga Rrjeti i Grave të Kosovës është pozitive”, tha Biljana Rexhiq, gjyqtare që pëfaqësonte Këshillin Gjyqësor të Kosovës. “I vlerësoj shumë edhe gazetarët hulumtues të BIRN. Jam monitoruar vet nga ta. Të gjeturat dhe rekomandimet e gazetarëve të BIRN-it dhe RrGK-së janë të analizuara thelbësisht dhe ne duhet ti shfrytëzojmë si një udhërrëfyes për parandalimin e dhunës ndaj grave, veçanërisht të dhunës në familje”. Për më shumë, ajo deklaroi se Udhëheqësi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës “pajtohet me gjithë këtë … dhe ai do të marrë të gjitha masat me ligj për të trajtuar dhunën me bazë gjinore”.
“Hulumtimi po na shtyen të flasim dhe të përmirësojmë veten”, tha ndër të tjera Adile Shaqiri, Zyrtare e Lartë për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit, Krimeve Seksuale dhe Dhunës në Familje, nga Departamenti i Politikave Sociale dhe Familjes në Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Në dhjetor të vitit 2016, Kosova miratoi Strategjinë e dytë kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe planin e veprimit për periudhën 2016-2020 (SKMDHF). Që prej asaj kohe, janë ndërmarrë disa nisma me të cilat është synuar të ngrihet kapaciteti i institucioneve publike për ta zbatuar këtë dokument dhe të caktohen përgjegjësitë e tjera ligjore në lidhje me dhunën në familje. Edhe pse ngacmimi seksual është diskutuar më shumë në sferën publike gjatë viteve të fundit, forma të tjera të dhunës me bazë gjinore, sidomos dhuna seksuale, vazhdon të mbetet, në pjesën më të madhe, e pa diskutuar dhe e pa hulumtuar sa duhet.
Mes gushtit dhe nëntorit të vitit 2017, RrGK dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) monitoruan shkallën e zbatimit të kornizës ligjore nga përfaqësuesit e institucioneve relevante që kanë përgjegjësi ligjore për mbrojtjen e personave që kanë vuajtur nga dhuna me bazë gjinore. Monitorimi, poashtu, ka synuar të shqyrtojë çdo ndryshim që mund të kishte ndodhur që prej vitit 2015 në qëndrimet, ndërgjegjësimin dhe rezultatet e punës së institucioneve që punojnë me rastet e dhunës me bazë gjinore; dhe të vlerësojë zbatimin e SKMDHF deri më tani. Raporti përfundimtar bazohet në gjetjet nga monitorimi i rasteve, intervistat me 84 përfaqësues të institucioneve relevante dhe një rishikim të të dhënave sasiore.
Përveç panelistëve të lartpërmendur, në këtë aktivitet morën pjesë gjithashtu përfaqësues të institucioneve, media, organizata ndërkombëtare, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe shoqëria civile.
Ky hulumtim është realizuar me mbështetjen të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA). Arsim Aziri, Udhëheqës i Administratës, Këshilltar i Sektorit Privat nga ADA gjatë prezantimit u shpreh se Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim kërkon të përfshijë fuqizimin e grave në të gjitha programet e tyre. Ai theksoi se ata shpresojnë të vazhdojnë bashkëpunimin dhe mbështetjen afatgjatë të RrGK-së, duke pasur parasysh se "rezultatet po shihen".