RrGK merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Çështje Gjinore në Suedi

Gjatë datave 15 dhe 17 prill, Forumi i Stokholmit për Barazinë Gjinore mblodhi “ndryshimbërës” nga më shumë sesa 100 vende për të gjetur strategjitë që shërbejnë për “fuqizimin e të drejtave, përfaqësimit dhe qasjes së grave dhe vajzave në burime”. Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova, ishte e ftuar për të marrë pjesë. Drejtoreshës së programit dhe kërkueses kryesore të RRGK-së, Nicole Farnsworth-it iu kërkua të prezantonte hulumtimin më të fundit të RRGK-së: Kujdes me PVGJ-në: Vlerësim i pavarur i zbatimit të Planit të Veprimit Gjinor të BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor” në forum, gjatë një diskutimi në panel, i organizuar me fondacionin “Kvinna till Kvinna” (Nga gruaja te gruaja).
      Pas prezantimit të shkurtër të studimit “Kujdes me PVGJ-në”, panelistët diskutuan: “Si është performanca reale e BE-së kur është fjala për zbatimin e Planit të saj të Veprimit Gjinor?” Pati një debat ndërveprues lidhur me gjetjet, rekomandimet dhe mënyrën se si mund ta përdorin avokuesit e çështjeve gjinore Planin II të Veprimit Gjinor të BE-së si mjet avokimi për të çuar më tej barazinë gjinore në të gjithë botën, duke u mbështetur në mësimet e nxjerra nga vendet e Ballkanit Perëndimor.  
       Nën moderimin e Brigitta Jaksa-s, në panel përfshihej ambasadorja Mara Marinaki, këshilltare kryesore për çështjet gjinore dhe për “Rezolutën 1325 të Këshillit të OKB-së për gratë, paqen dhe sigurinë”, Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian; Karolina Vrethem-i, zëvendës drejtoreshë, Departamenti për Konfliktet dhe Çështjet Humanitare, Ministria për Punë të Jashtme, Suedi; Petra Tötterman Anforff-i, ushtruese e detyrës së sekretarit të përgjithshëm, fondacioni “Kvinna till Kvinna”; dhe Nicole Farnsworth.
       Më pas, pjesëmarrësit pohuan se për ta diskutimi ishte “i frytshëm dhe i pasur me informata”, dhe se kishte qenë shumë me rëndësi për aktivistët dhe aktorët e tjerë që punojnë në kontekste, vende dhe rajone të ndryshme.
       Gjatë këtij forumi, fondacioni “Kvinna till Kvinna” nisi një “thirrje për veprim”, që është paraqitur nga 60 mbrojtës të të drejtave të njeriut të grave nga e gjithë bota, që u drejtohet udhëheqësve botëror, dhe që titullohet: “Luftimi kundër tkurrjes së hapësirës së mbrojtësve të të drejtave të njeriut të grave – Thirrje botërore për veprim nga gratë më të guximshme në botë”. Ky dokument bën thirrje për sigurinë dhe mbrojtjen personale dhe organizative të mbrojtësve të të drejtave të njeriut të grave, financimin për organizatat dhe lëvizjet për të drejtat e grave në një kohë ku hapësira e financimeve është duke u tkurrur, dhe për njohjen më të mirë të punës së rëndësishme që bëjnë mbrojtësit e të drejtave të njeriut të grave.
      Forumi ofroi edhe një hapësirë të rëndësishme për avokimin e RRGK-së, rrjetëzimit dhe krijimit të aleancave me aktivistë të tjerë nga e gjithë bota.
Për të mësuar më shumë për këtë forum, vizitoni: @GenderEqlWorld #StockholmGenderForum #GenderEqualWorld www.genderequalworld.com.