Solidariteti mes grave dhe rruga drejt pozitave vendimmarrëse ishte tema e mbledhjes së Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë, të organizuar me 12 prill në Komunën e Suharekës, me ftesën e znj. Mihrije Syka, Nënkryetare e Komunës së Suharekës dhe znj. Habibe Bytyqi, Koordinatore e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën e Suharekës, ku morrën pjesë mbi 70 gra e vajza asambleiste të komunave të ndryshme të Kosovës dhe përfaqësuese të organizatave anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK).
Të pranishmet kishin mundësinë të ju drejtojnë pyetje dy nikoqireve të takimit, duke marrë informata për pozitën e grave dhe vajzave në Komunën e Suharekës dhe duke bërë krahasime e shpërndarë përvoja nga komunat tjera.
Më pas, fjalën e morri Rogova e cila para pjesëmarrëseve prezantoi idenë e ri-krijimit të Lobit të Grave të Kosovës.
“Ky mekanizëm do të bashkonte gratë nga niveli qendror dhe ai lokal i politikës, gratë nga shoqëria civile dhe nga çdo sferë tjetër profesionale,” u shpreh Rogova. “Do të ishte një grup pa kryesi, se ne nuk po synojmë pozita, por bashkëpunimin e grave. Poashtu, duhet ta keni parasysh, që Bashkimi Evropian (BE) e ka në funksion European Women’s Lobby (Lobin e Grave Evropiane) ku kanë të drejtë pjesëmarrjeje vetëm gratë nga shtetet anëtare të BE-së, por është mirë që ne si shtet që synojmë anëtarësimin në BE të nisim një grup të tillë edhe në Kosovë, që kur të vijë koha e anëtarësimit, ky mekanizëm të jetë i gatshëm për përfaqësim të denjë në BE, e jo të shkojnë e të na përfaqësojnë njerëz jo-kompetent.”
Të gjitha të pranishmet, njërzëri, u pajtuan për krijimin e këtij mekanizmi dhe Rogova i njoftoi ato që së shpejti do të pranojnë informatat e detajizuara, përfshirë këtu edhe datën për takimin e parë për fillimin e punës së këtij mekanizmi.
Më pas, gjatë diskutimit mbi tema të ndryshme të rëndësishme për gratë dhe vajzat në Kosovë, bashkarisht u vendos që Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë të dalë me reagim dhe qëndrim lidhur me temat e mëposhtme:
- Letër MAShT-it për çështjen e mungesës së psikologëve dhe pedagogëve nëpër shkolla;
- Letër MAShT-it për mosaprovimin e asistencës për fëmijët me aftësi të kufizuara; dhe
- Avokim i përbashkët për çështjen e dislokimit të familjeve nga fshati Hade, me ç’rast u vendos që Lobi do të përkrahë protestën dhe do ta ngrisë zërin edhe në nivel qendror, duke e ngritur këtë temë për diskutim edhe me grtaë deputete.
Tutje, takimi i mbajtur në Suharekë iu dedikua gjerësisht temës së “Solidaritetit mes grave dhe rrugës drejt pozitave vendimmarrëse”, me ç’rast Rogova bëri një përmbledhje të aktivizmit dhe avokimit të grave individualisht dhe në formë të organizuara si shoqëri civile për avancimin e të drejtave të tyre.
Ajo ndau me të pranishmet disa ngjarje të vërteta që kanë ndodhur ndër vite, për të treguar se përfshirja e grave në vendim-marrje dhe procese jetike pas luftës së fundit në Kosovë nuk ishte e lehtë.
“Kur u kthyem nga kampet refugjate, ne tërë kohën duhej të shtynim e shtynim gjërat. Së pari, ishte PSSP (Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm) i UNMIK-ut Bernard Kouchner i cili i trajtonte femrat si objekte. Në tetor të vitit 1999, menjëherë pas luftës, erdhi Kofi Annan, atëbotë Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së. Kofi Annan planifikonte një takim me shoqërinë civile. Por, e dini çka ndodhi? Nuk u ftua asnjë grua sepse UNMIK-u dhe OSBE thanë se Kosovarët janë ‘ një shoqëri patriarkale.’ Por, ne kishim një aleat – Lesley Abdela. […] Ajo u shkroi grave dhe u tha, “Secila prej jush ka nga një minutë në dispozicion. Mendoni mirë se çfarë do të thoni. Nga një minutë secila.” Atë ditë Kouchneri dhe Evertsi u shokuan kur panë se në derë kishin ardhur tri gra të fuqishme – Sevdije Ahmeti, Vjosa Dobruna dhe unë. […] Annani tha, “Jo, jo, jo. Nuk jam këtu për të folur. Jam këtu për të dëgjuar.” A mund të imagjinoni? Të gjorët burra të Kosovës […]. Atyre u ishte thënë se vetëm do t’i shtrëngojnë duart me Kofi Annanin sepse nuk ishin të informuar se kishin të drejtë të flasin. Annani tha, “Jam këtu për të dëgjuar. Kush dëshiron ta marr fjalën?” Ne i ngritëm duart. Sevdije Ahmeti përmendi sigurinë e grave dhe Vjosa Dobruna foli për fuqizimin ekonomik të grave. Më pas, unë parashtrova pyetjen, “Përse nuk ka gra në Këshillin Tranzitor i cili do të ndihmojë në qeverisjen e Kosovës deri në zgjedhje?” Annan tha, “Ju premtoj se brenda jo më larg se tri javë do të ketë gra në atë Këshill.” Pas kësaj, burrat na përgëzuan. Ata na thoshin, “Oh zot! Ju gratë jeni tejet të organizuara!” Por, a e dini se çfarë ndodhi më pas? Të nesërmen Lesley-in e larguan nga puna. Në fakt, zyrtarisht nuk ishte përjashtim nga puna por vetëm ‘iu shkëput kontrata. (Këtë tregim dhe shumë të tjerë mund t’i gjeni në raportin “Fakte dhe Fabula për Rezolutën 1325 – Përmbledhje rrëfimesh lidhur me nivelin e zbatimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë”).
Më tutje, Rogova përmendi edhe shumë iniciativa avokuese të suksesshme që erdhën si rrjedhojë e bashkëpunimit të grave, përfshirë krijimin e Planit për Barazi Gjjnore, që pastaj u bë edhe plani i parë kombëtarë për barazi gjinore; përzgjedhjen e zyrtarëve për barazi gjinore e krijimin e mekanizmave të tjerë të rëndësishëm; pastaj krijimin e Lobit të Grave të Kosovës në periudhën 2002-2004, ku Rogova përmendi se si përmes këtij mekanizmi u shtyen përpara shumë gjëra, përfshirë edhe reformën zgjedhore; protestat ku gratë kërkonin nga UNMIKU përfaqësim gjeografik në zgjedhje dhe natyrisht balancë gjinore.
“Fatkeqësisht, ky Lobi u prish për shkak të lakmisë për pozita,” u shpreh Rogova. “Prandaj e theksojmë që si Lobi eksiztues për Barazi Gjinore, e si Lobi i Grave të Kosovës që u pajtuam më herët se do ta ri-krijojmë, nuk do të kenë kryesi dhe pozita udhëheqëse.”
Më tutje, ajo rikujtou protestën e vitit 2012, ku kërkohej drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
“Fillimisht biseduam me gratë në Parlament që të bëjmë diçka të perbahsket: ne të organizojmë protestën, e sto të nesërmen ta ngrisin këtë temë në Parlament. Ju e dini sa e fuqishme ka qenë ajo protestë dhe fakti që ajo temë për herë të parë u ngrit në Parlament: u thy muri i tabusë, i heshtjes, e i turpit dhe filluan qytetarët me tregu përkrahje për të mbijetuarat.”
Tutje, ajo shojegoi se pas bashkëpunimit të suksesshëm me gratë në Parlament, u mendua që të fillohej me punën në nivelin lokal dhe si rrjedhojë u krijuan Grupet Avokuese të Grave, që më vonë u shndërruan në Lobin për Barazi Gjinore në Kosovë.
“Një gjë duhet ta kemi parasysh gjithmonë: kur bashkohen gratë – ndodhë ndryshimi,” u shpreh ajo.
Të fuqizuara nga historitë e ndara me to, gratë vazhduan të diskutojnë së bashku dhe të prezantojnë aktivitetet avoukuese që i kanë ndërmarrë muajt e fundit në komunat e tyre dhe ato që planifikojnë t’i ndërmarrin.
Kjo mbledhje e Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë u përkrah nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).