Gratë e verbëra avokojnë suksesshëm për të drejtat e tyre

Pjesëtarët e komunitetit të personave të verbër dhe me shikim të dobësuar në Kosovë, përfitojnë nga disa benefite të cilat janë të specifikuara përmes Ligjit për personat e verbër. Së fundi, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës (KGVK) kanë qenë në bashkëpunim të plotë për të adresuar shkeljet e të drejtave që i janë bërë këtij komuniteti, nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës.

RrGK së bashku me KGVK , kanë ngritur çështjen e kushtëzimit të personave të verbër me anëtarësim të detyrueshëm në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës, në mënyrë të lëshimit të librezave dhe përfitimit nga lehtësimi i pagesës së energjisë elektrike,  edhe pse  një e drejtë e tillë u garantohet atyre me Ligjin për persona të verbër. Përfaqësues të KGVN-së vazhdimisht kanë kontaktuar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), përkatësisht departamentin e pensioneve, në mënyre që të ndalin këtë keqpërdorim.

Së bashku me asistenten ligjore të RrGK-së, KGVN zhvilloi edhe një takim me Avokatin e Popullit, Hilmi Jashari, i cili u pajtua se  ky kushtëzim nga Shoqata përbën shkelje të rëndë dhe duhet gjithsesi të ndërmirren masa të menjëhershme nga ana e  MPMS-së për ndalimin e  tij..

Bajramshahe Jetullahu, Drejtore Ekzekutive e KGVK-së heksoi se kjo  shkelje përbën cënim të identitetit dhe të drejtave të personave të verbër.

Jashari ka shprehur gatishmëripër të mbështetur KGVN-në dhe RrGK-në në monitorimin e mëtutjeshëm të situatës, ndërsa MPMS-ja është treguar bashkëpunuese, duke ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim dhe duke e detyruar Shoqatën e të verbërve  që të nxjerrë një vendim me anë të së cilit zotohet se do të bëjë distribuimin e librezave të verbërisë, dhe kompletimin e dosjeve për përfitim nga benefitet e pagesës së energjisë elektrike, ndaj të gjithë personave të verbër apo me shikim të dobësuar, jo vetëm të atyre të cilët janë anëtarë të kësaj shoqate.

Për KGVN, ky është një hap pozitiv drejt respektimit të të drejtave të personave të verbër. Sidoqoftë, KGVN do të vazhdojë të monitorojë këtë proces, dhe është e hapur të ofrojë mbështetje për personat që kanë ankesa  për  shkeljen e të drejtave të tyre.