Më 25 shkurt, organizata Handikos Mitrovica mbajti takimin e fundit në kuadër të projektit katër mujor “Depresioni te nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe te personat me aftësi të kufizuara”.
Në takim ishin të pranishëm: Psikologia nga Diakone Kosova Gjevahire Balaj, Drejtorja e OJQ-së Mundësia Hasime Tahiri, Drejtori i Njësisë për të Drejtat e Njeriut në Komunën e Mitrovicës Fitim Rama, Drejtorja e Handikos-it në Mitrovicë, Myrvete Hasani, si dhe nënat e fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara.
Fillimisht Hasani tregoi se nga ky projekt kanë përfituar 15 nëna dhe 12 të rinj. Pastaj ajo bëri të ditur se nënat dhe fëmijët u trajnuan për t’i kuptuar dhe përballuar më mirë çështjet si simptomat dhe sjelljet e depresionit, ballafaqimin dhe luftimin e stresit, si dhe jetën pas lindjes së fëmijës me nevoja të veçanta.
Më pas, Balaj u shpreh se ideja e projektit ka qenë që nënat të mblidhen dhe të kenë një vend për t’i ndarë shqetësimet dhe emocionet. Tutje përgjatë diskutimit u trajtua edhe mungesa e përkrahjes nga shoqëria për nënat që kanë fëmijët me nevoja të veçanta.
Kurse Tahiri shtoi se shoqëria duhet të lobojë që institucionet shëndetësore dhe ato arsimore të kenë psikologë për trajtimin e nënave të fëmijëve me nevojave të veçanta.
Mirëpo, Komuna e Mitrovicës “ka buxhet të limituar dhe nuk mund të ofrojë përkrahje financiare.” Kështu tha Rama, teksa bëri të ditur se edhe këtë vit do të hapet thirrja e përvitshme publike për përkrahjen modeste financiare të OJQ-të që kanë këtë fushë veprimtari.
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), si dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).