RrGK përkrah punën e palodhshme dhe transparente të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës

Sot, më 18 qershor, përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) vizituan Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës me qëllim për tu njohur nga afër me ecurinë e procesit për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, sfidat me të cilat po përballet ky Komision dhe për të shprehur përkrahjen e RrGK për punën e palodhshme dhe transparente të Komisionit.

“Ne kemi qenë pjesë të rrugëtimit të Komisionit, qysh në fillet e tij dhe e njohim nga afër punën e paanshme dhe transparente të këtij Komisioni,” u shpreh Ariana Qosaj-Mustafa, Kryetare e Bordit të RrGK.

Ndër sfidat kryesore të punës së Komisionit, Minire Begaj-Balaj, Kryetare e Komisionit, renditi problemin e lëndëve të pakompletuara që arrijnë tek Komisioni qysh në fillim kur ato sillen për aplikim, si dhe vonesat në përgjigje për kërkesat me qëllim verifikues që iu bëhen organizatave të tjera që kanë ofruar shërbime për palët në fjalë pas përfundimit të luftës (e që nuk përfshijnë katër organizatat që tashmë janë të autorizuara për të pranuar aplikimet: Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Medica Kosova, Medica Gjakova dhe Qendra për Provomimin e të Drejtave të Grave në Drenas).

Tutje, zn. Begaj-Balaj prezantoi punën e Komisionit përmes shifrave, nga koha kur ky Komision filloi punën e tij në shkurt të vitit 2018, ku u tha se deri më tani janë pranuar 1,058 aplikime, prej të cilave 395 janë aprovuar, 152 janë refuzuar, 52 janë në proces, duke përbërë kështu gjithesjt 599 raste të trajtuara, ndërkaq 461 mbeten në trajtim. Ajo theksoi se shumica e aplikimeve janë bërë nga gratë, një përqindje e tyre e vogël nga burrat, gjegjësisht shumica e aplikimeve janë nga komuniteti shqiptarë, por ka edhe nga komunitetet tjera.

“Megjithatë, puna dhe efikasiteti i Komisionit, nuk duhet të matet vetëm me numrin e aplikimeve të aprovuara; duhet ta kemi parasysh faktin që trajtimi i rasteve ndonjëherë nënkupton edhe trajtimin e një rasti deri në gjashtë herë, si rezultat i dosjeve që na vinë të pakompletuara, e kështu do ta kuptonim që matematikisht shifrat e punës tonë janë më të larta se sa numri i rasteve të aprovuara” u shpreh ajo.

Duke çmuar angazhimin e Komisionit, Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK, u shpreh se “Siç e kemi vënë në pah gjithmonë ne si RrGK, duhet të respektohet vullneti i vet të mbijetuarve në raport me aplikimin për njohjen dhe verifikimin e statusit të tyre, sepse jo të gjithë duan të aplikojnë. Andaj, për ne, në këtë proces, është shumë me rëndësi që të ofrohet një ambient inkurajues për aplikim, duke iu ofruar atyre përkrahje dhe një proces konfidencial e të paanshëm.”

Zhvillimet e kohëve të fundit në Kosovë, që përfshijnë edhe publikimin nga deputetja Flora Brovina të një fotografie që synonte të dëshmojë dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë, akt të cilin RrGK e dënoi, e që më vonë vërtetësia e kësaj foto edhe u kontestua, shkelin dinjitetin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, shërbejnë si dekurajim për raportim nga të mbijetuarit tjera të dhunës seksuale dhe si precedent i rrezikshëm se çka i pret të gjithë që raportojnë dhunën seksuale.

“Pas publikimit të kësaj fotografie, ne kemi pranuar telefonata të shumta nga të mbijetuarët e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë që kanë aplikuar për njohje dhe verifikim të statusit të tyre dhe/ose nga familjarët e tyre, që kërkonin të bënin tërheqjen e aplikimit të tyre, nga frika se mos po rrjedhin në publik edhe dëshmitë dhe fotografitë e tyre dhe po iu preket konfidencialiteti”, u shpreh Begaj-Balaj.

Duke përkrahur punën e palodhshme dhe transparente të Komisionit, RrGK edhe një herë bën thirrje për të gjithë që të jenë të kujdesshëm, të ofrojnë mbështetjen e tyre ndaj të mbijetuarve, dhe të mundësojnë krijimin e një ambienti sa më inkurajues për aplikimin e tyre për njohjen dhe verifikimin e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjate luftës në Kosovë.

RrGK përkrah punën e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës_2019-06-18