Ekspozita  “Dhuna nuk  fshehet mrena mureve”  u mbajt dje në Gjakovë

 

GJAKOVË, 11 SHTATOR 2019 – Në një qytet ku janë raportuar 90 raste të dhunës në familje këtë vit, banorët e të gjitha moshave morën pjesë në ekspozitën e cila paraqiste problemet duke ofruar informata të dobishme, sot në Gjakovë.

Shtëpia e Sigurtë dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) bashkëpunuan për të sjell ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” në sheshin e qytetit “Nëna Terezë” këtë pasdite dhe mbrëmje. Struktura tre-dimensionale u shfaqi vizitorëve informacionet, përvojat dhe efektet e dhunës në familje që mund të fshihen brenda jetës private të njerëzve.

“Deputetët tanë kanë votuar Konventën e Stambollit, e cila shumë mirë e thekson rolin e strehimoreve si dhe detyrat dhe obligimet që shteti ka për të mbështetur financiarisht punën e tyre. Andaj u bëjmë thirrje deputetëve të cilët i votojmë, t’i zbatojnë detyrat përmes monitorimit, të përkrahin punën e strehimoreve”, tha Sakibe Doli nga strehimorja “Shtëpia e Sigurtë” në Gjakovë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Kosovës, në 90% të rasteve të raportuara viktimat janë gra.

“Dhuna në familje vazhdon të jetë një problem që po prek shoqërinë kosovare”, tha Adelina Berisha nga RrGK. “Përmes kësaj ekspozite ne duam t’u tregojmë ndjenjën e një shtëpie ku përdoret dhuna. Në këtë mënyrë ne të gjithë mund të kemi një kuptim më të mirë të vuajtjeve të secilës viktimë”.

Berisha shtoi, “Ne duam të informojmë çdo qytetar të Kosovës për ndihmën që mund të kërkojnë nga institucionet vendore, dhe ku mund të ankohen nëse këto institucione dështojnë të ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje”.

Ekspozita e cila do të vazhdojë të organizohet edhe në qytetet e tjera të Kosovës ka filluar të shfaqet që nga Qershori i këtij viti. Qëllimi i kësaj ekspozite është të rritet ndërgjegjsimi për format e ndryshme të dhunës në familje dhe t’u siguroj qytetarëve informacione në lidhje me institucionet përkatëse dhe mënyrën se si të kontaktohen ato. Vizitorët gjithashtu u informuan për obligimet e tyre ligjore për të raportuar rastet e dhunës në familje dhe mbështetjen e viktimave.

Lukë Perlalaj, hetuesi i Policisë së Kosovës nga Njësia lokale e Dhunës në Familje ofroi detaje rreth statistikave alarmante. Ai i tha turmës së mbledhur se raportet për dhunën në familje janë rritur në kohët e fundit.

“Ndoshta ne jemi duke rritur ndërgjegjësimin dhe kjo po bënë që ne të pranojmë kaq shumë raste sot”, tha Perlalaj. “Por gjithashtu përdorimi i dhunës në familje është rritur, bazuar në të dhënat zyrtare”.

Përfaqësuesi i Inspektoriatit Policor të Kosovës në Gjakovë informoi qytetarët në lidhje me burimet në dispozicion për të raportuar rastet e dhunës në familje.

“Ne kemi mënyra të ndryshme për ankesa ku mund të raportoni për rastet e dhunës në familje, ku njëra ndër to është përmes faqes elektronike: https://ipk.rks-gov.net/forma-per-ankesa/ ose në stacionin më të afërt policor”, shtoi Bajram Fetahu.

Në mesin e folësve të tjerë që hapën ekspozitën ishin edhe Elvane Shehu – punëtore sociale në Qendrën për Punë Sociale, gjyqtarja Iliriana Hoti, dhe prokurorja Dëshirë Jusaj.

Lexoni KËTU broshurën e ekspozitës “Dhuna nuk fshehet Brenda mureve”.

Kjo ekspozitë përkrahet nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women (#EVAW) dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).