Aleanca e Grave për Integrim rrit vetëdijësimin e grave për kujdesin gjinekologjik

Gratë e minoriteteve kryesisht e kanë më të vështirë qasjen në informim rreth shëndetit të tyre si dhe ndaj shërbimeve shëndetësore që ofrohen. Për trajtimin e kësaj çështjeje, Aleanca e Grave për Integrim /Women’s Alliance for Integration (WAI) ndërmori një nismë për t’i njoftuar gratë dhe vajzat me sëmundjet seksualisht të transmetueshme si dhe për mënyrat e diagnostifikimit dhe trajtimit të tyre.

Kjo mungesë informimi vërehet me theks të veçantë te pjesëtaret e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Fatkeqësisht, braktisja e shkollës në moshë të hershme nga vajzat e këtyre komuniteteve është dukuri e zakonshme. Mungesa e shkollimit ndikon drejpërsëdrejti në shëndetin e tyre ndër vite.

Për ta përmirësuar këtë gjendje, WAI ka mbajtur ligjërata informuese për 109 gra dhe vajza në fshatrat e Lipjanit: Medvec, Hallaç dhe Gadime, në lagjet Ali Ibish dhe Sallahane si dhe në fshatin Dubravë të Ferizajt.

Duke folur gjatë ligjëratave, doktoresha Zekije Shala, u ka treguar të pranishmeve për rëndësinë e kujdesit intim dhe mundësitë për parandalimin e sëmundjeve. Ndër temat e trajuara ishte Pap Testi dhe rëndësia e tij. Ka qenë shqetësuese të kuptohet se vetëm disa gra kanë kryer këtë test për kancerin e qafës së mitrës, e poashtu vetëm disa prej tyre kanë dëgjuar për të.

“Kjo ligjëratë më ka ndihmuar shumë sepse unë nuk e kam ditur që Pap Testi nuk dhemb”, tha njëra nga pjesëmarrëset. “Andaj edhe nuk e kam bërë më parë”.

Falë nismës “Ngritja e vetëdijes rreth kujdesit shëndetësor për gratë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Komunën e Ferizajt dhe Lipjanit”, WAI po ashtu ka mbajtur takime koordinuese me organizatat e kualifikuara për ofrimin e shërbimeve përkatëse shëndetësore. Ndër to ishin drejtoritë e shëndetësisë dhe Zyra për Kthim dhe Komunitete në Lipjan dhe Ferizaj. Qëllimi i këtyre takimeve ishte të ndihmohen organizatat në përmirësimin e shërbimeve për gratë dhe vajzat.

Gratë gjithashtu u informuan edhe për shërbimet publike që mund t’i marrin falas, ose për një shumë të vogël parash.

Një tjetër rezultat që vlen të përmendet nga kjo nismë është se Ekipi për Edukim dhe Promovim të Shëndetit, i cili funksionon në kuadër të Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt do të vazhdojë të mbajë ligjërata me tematika të ndryshme varësisht nga nevojat e grave të komuniteteve.

Pëmes kësaj nisme 16 burra u vetëdijësuan më shumë rreth rëndësisë dhe trajtimit të këtyre rasteve, ndërkaq102 gra nga këto dy komuna ishin pjesë e një ankete që u krye gjatë periudhës së zbatimit të kësaj nisme. Të gjeturat nga kjo anketë u publikuan në raportin “Qasja në shërbimet shëndetësore e grave dhe vajzave ashkalike dhe egjiptase në komunat e Lipjanit dhe Ferizajit”.

Disa nga rekomandimet e raportit janë:

  • Të sigurohen mundësi financimi për të zhvilluar fushata të mëtejshme vetëdijësuese mbi rëndësinë e kontrolleve të rregullta gjinekologjike, parandalimin e sëmundjeve dhe infeksioneve të transmetueshme seksualisht, kancerin e mitrës, si dhe çështje të tjera të grave të këtyre komuniteteve;
  • Të ndërmerren fushata vetëdijësuese për gratë dhe vajzat lidhur me shëndetin dhe të drejtat e pacientëve;
  • Të kryhen analiza dhe hulumtime të hollësishme rreth dukurisë së martesave të hershme në Kosovë, përfshirë këto komunitete, në mënyrë që të informohen vendimmarrësit kryesor për hapat e nevojshëm për adresimin efikas të kësaj çështjeje.