“Jam shumë me fat” ishin fjalët me të cilat Igballe Rogova nisi rrëfimin me kujtime nga fëmijëria dhe rëndësinë e mbështetjes së familjes që e përkrahën atë për tu bërë një feministe. Rrëfimin ajo po e ndante me 50 të rinj nga rajone të ndryshme të Kosovës gjatë ligjëratës në Samitin truAktiv 2019.
Rogova foli për aktivizmin feminist të viteve ‘90 gjatë edicionit të 3-të të Samitit truAktiv të mbajtur me 19-21 shtator me temën “Organizimi i Komunitetit”. Samiti tre-ditor me pjesëmarrës të rinj nga e gjithë Kosova synon përmirësimin e të menduarit kritik përmes debateve, bisedimeve, ligjëratave dhe punëtorive.
Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Rogova, filloi fjalimin e saj duke përmendur iniciativën bashkë me motrën e saj, Safete Rogova. Tregoi se si ato themeluan shoqatën Motrat Qiriazi, fillimisht në rajonin e Hasit, me qëllim të fuqizimit të vajzave dhe grave rurale. Ato synonin të ndryshojnë traditat dhe ishin të përkushtuara për të përmirësuar arsimimin evajzave dhe grave duke ndërtuar shkolla dhe hapur biblioteka.
Pjesëmarrësit e rinj gjithashtu dëgjuan për shoqërinë e Rogovës me Lepa Mladjenovic, një nga themelueset e organizatës Gratë në të Zeza në Serbi, një lëvizje kundër luftës që pati presion të madh për protestën e saj kundër luftërave të Serbisë në Kosovë, Bosnje, etj. Rogova e përshkruan Mladjenoviçin si mentore të saj, nga e cila e mësoi fuqinë e protestës në heshtje. Ajo kujtoi kohën kur shkoi në Beograd gjatë ’90-e për të qenë pjesë e njërës prej protestave të Grave në të Zeza, një grup grash feministe që protestonin në qendër të qytetit duke mos lëvizur e folur, thjesht duke qëndruar në këmbë. Ky grup i feministeve edhe pse morrën shumë reagime negative nga publiku, vazhduan të protestonin deri në atë pikë sa një nga qytetarët pështyu në fytyrë të Mladjenoviçit dhe ajo e vazhdoi protestën pa lëvizur në paqe.
Rogova theksoi se: ”Ishte një nga momentet më të fuqishme që kam parë. Sa herë që jam duke protestuar e mendoj atë moment dhe më ndihmon që të mos shqetësohem nga komentet negative”.
Rogova foli edhe për dy protestat të organizuar nga gratë në mars të vitit ’98, njëra me bukë dhe tjetra me fletë të bardha. “Mbaj mend që kishim snajperistë çdokund rreth nesh, por nuk kishim frikë,” kujton Rugova. “Organizimi ishte mahnitës. I pamë snajperistët dhe u thoshim të gjithëve të mos shkojnë në shtëpi vetëm. Prandaj, të gjitha gratë u kthyen në shtëpi në grupe, duke ecur dorë për dorë.”
Përmes pyetjeve, pjesëmarrësit treguan interesim për mobilizimin e protestave gjatë aktivizmit të viteve ’90 dhe si funksiononte shoqëria civile në Kosovë në atë kohë, veçanërisht përvojat personale të Rogovës në vitet e hershme të aktivizmit feminist në Kosovë. U ngritën shumë pyetje nëse Rogova do të shkruaj autobiografi mbi përkushtimin e saj ndaj feminizmit në Kosovë, me ç’rast. Rogova theksoi se gjithmonë ka menduar të shkruajë një libër.
Ndërkohë, Rogova u rekomandoi pjesëmarrësve të rinj libra të kësaj fushe:
KGSC, Historia është gjithashtu edhe storia e saj (History is her story too), 2008
Howard Clark, Rezistenca civile në Kosovë (Civil resistance in Kosovo), 2000 .