Partners Kosova mban takime për fuqizimin e grave në vendimmarrje

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Partners Kosova (Partners K) ka mbajtur takime me gratë asambleiste të komunës së Dragashit dhe të Fushë Kosovës.

Në takimin e mbajtur në Prizren më 8 nëntor në kuadër të nismës “Gratë e bëjnë ndryshimin”, të mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK), të pranishme ishin gratë asambleiste dhe përfaqësuese nga organizata të shoqërisë civile nga të dy komunat e lartëpermendura. Ky takim u mundësoi pjesëmarrësve shkëmbimin e përvoja dhe ideve të tyre për eleminimin e barrierave që hasin gratë në vendimmarrje, politikë dhe në paraqitjet e tyre publike.

Takimin e hapi Drejtorja Ekzekutive, Shukrije Gashi, e cila falënderoi pjesëmarrëset për interesimin, dhe RrGK-në për përkrahjen.

“Partners Kosova ka luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekje të rritjes së ndërgjegjësimit në fushën e barazisë gjinore dhe të të drejtave të grave, por ende ka shumë për t’u bërë, si nga shoqëria civile ashtu dhe nga institucionet e tjera vendore,” u shpreh ajo.

Shemsije Fetahu, Kryetare e Grupit te Grave Avokuese për Brazi Gjinore (GGABGj) vazhdoi me një prezantim mbi rëndësinë e komunikimit dhe të folurit në publik

“Gratë kanë nevojë për trajnime profesionale që do t’i bënin më të pavarura, që do t’i bënin pjesë në projekte e programe më gjithëpërfshirëse e po ashtu do të ndikonin në avancimin e tyre”, theksoi Fetahu.

Pjesëmarrëset e takimit propozuan që të mbahen takime edhe mes grupeve të grave dhe kryetarëve të komunave që të bisedojnë më konkretisht mbi buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, si dhe zhvillimin e aktiviteteve drejt përmirësimi të pozitës së grave.

Aktivitetet e kësaj nisme financohen nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, përmes rundit të 15 të Fondit të Grave të Kosovës.