Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Partners Kosova Center for Conflict Management (Partners K), më 28 janar ka mbajtur takim avokues me kryetarin e Komunës së Dragashit dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.
Ky takim bart në vete një peshë të veçantë duke qenë se u prezantua Grupi i Grave Avokuese të Dragashit.
Përfaqësuese nga Partners Kosova Center for Conflict Management, ishin Drejtorja Ekzekutive Shukrije Gashi, si dhe Hilmije Ramabaja, Menaxhere e Projektit, të cilat prezantuan kërkesat e grave drejt ngritjes së pjesëmarrjes së tyre në politikë dhe procese vendimmarrëse në komunë.
Në fillim të takimit, Kryetari i kësaj komune, Behxhet Xheladini, u zotua se do të shfyrtëzojë të gjitha mundësitë për realizim e këtyre nevojave.
“Inkurajoj gratë dhe vajzat që të aplikojnë për pozita vendimmarrëse në departamente të ndryshme të komunës, duke ditur se shumë prej tyre kanë përvojën dhe shkollimin e duhur për pozita të larta e vendimmarrëse”, tha ai.
Kurse, Lindita Kozmaqi Piraj, Zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën e Dragashit vlerësoi lart themelimin e këtij grupi avokues.
“Themelimi i këtij grupi avokues të grave dhe vajzave, si dhe fuqizimi i tij ka nevojë për ngritjen e kapaciteteve të ndryshme profesionale dhe me mbështetje të vazhdueshme nga Partners Kosova për realizimin e aktiviteteve relevante”, tha ajo.
Ajo, poashtu në vazhdim tha:
“Jemi me fat që ju kemi juve dhe RrGK-në për jetësimin e nismës për themelimin e Grupit të Grave Avokuese dhe urojmë t’u kemi mbështetëse në aktivitete tona të mëtutjeshme për avancimin e barazisë gjinore”.
Aktivitetet e kësaj nisme financohen nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, përmes rundit të 15 të Fondit të Grave të Kosovës.