“Shtëpia ime” në Ferizaj ngrit vetëdijen kundër dhunës në familje

Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Shtëpia ime” në Ferizaj për tetë muaj ka realizuar aktivitete të ndryshme pjesë e të cilave kanë qenë trajnimet me mekanizma koordinues të rajonit të Ferizajt, Hanit të Elezit, Shtimes, Kaçanikut e po ashtu edhe vetëdijesimi i qytetarëve për dhunën në baza gjinore dhe dhunën në familje.

“Shtëpia ime” këto aktivitete i ka zhvilluar në kuadër të nismës “Fuqizimi i mekanizmave koordinues kundër dhunës në familje për rajonin e Ferizajt,” ku deri më tash 95 persona kanë përfituar në mënyrë direkte apo indirekte.

Gresa Kllokoqi, këshilluese në këtë qendër shpjegon se organizata mban takime te shpeshta me policinë, Qendrën për Punë Sociale, gjykatat, prokurorinë, spitalin e qendrat e shëndetit mendor në komunat ku kjo qendër ushtron veprimtarinë.

“Në punën tonë kemi problematika të ndryshme si mungesa e stafit nëpër qendrat për punë sociale si dhe nëpër polici, mungesa e planifikimit buxhetor nëpër këto institucione që e luftojnë dhunën në familje dhe në baza gjinore dhe e kemi arritur një marrëveshje me ta që në atë mënyrën zyrtare të bashkëpunojmë sa më tepër që në fund të kemi një sukses të përbashkët të gjithë”.

Kllokoqi vë në pah se edhe më tej ka hezitim për t’i raportuar rastet e dhunës në baza gjinore dhe ato të dhunës në familje.

“Ne shpesh mendojmë se nuk ka dhunë sepse nuk është duke ndodhur raportimi i dhunës, por jo, dhunë ka por mungon raportimi. Mentaliteti patriarkal është një gjë tjetër që është temë në vete”.

Sidoqoftë, ajo thotë se pas fushatave vetëdijesuese në rrjetet sociale të organizatës qytetarët kanë nisur të informohen për këtë çështje.

“Ne e kemi faqen tonë në Facebook dhe përmes postimeve të ndryshme, fushatave ose aktiviteteve që ne i realizojmë, aty kemi vendosur përshkrime se për çfarë mbahen ato aktivitete dhe për çfarë realizohen. Në bazë të kësaj kemi arritur që shumë qytetarë të përfitojnë nga këto rrjete sociale,” thotë Kllokoqi, e cila shpreson që të rritet ndikimi në shoqëri për këto tema.

“Shpresoj shumë që një ditë mentaliteti patriarkal ka për t’u zvogëluar dhe në bazë të këtyre vetëdijesimeve jemi duke shkuar edhe drejt zhdukjes së mentalitetit patriarkal në shoqëri edhe pse nevojitet kohë e madhe”, tha ajo.

Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Shtëpia ime” ishte përfituese e grantit të raundit të 17-të të Fondit të Grave të Kosovës të RrGK-së, me mbështetje financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”.