Për dy ditë me radhë(1-2 qershor), Rjeti i Grave të Kosovës(RrGK) ka marrë pjesë në Forumin e Shoqërisë Civile të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2023. Kjo ngjarje ka bashkuar më shumë se 150 pjesëmarrës, duke përfshirë përfaqësues nga shoqëria civile, zyrtarë të BE-së dhe autoritete qeveritare duke shërbyer si një platformë thelbësore për ndarjen e njohurive dhe zhvillimin e strategjive për të promovuar rritjen e shoqërisë civile në rajon.
Një moment i rëndësishëm i Forumit 2023 ishte lansimi i Vlerësimit Bazë të Udhëzimeve të Drejtorisë për Zgjerim të Komisionit Evropian (DG NEAR) për Mbështetjen e BE-së ndaj Shoqërisë Civile në Rajonin e Zgjerimit 2021–2027. Ky dokument kritik ofron një analizë të detajuar të gjendjes së shoqërisë civile në rajon bazuar në 59 treguesit e Udhëzimeve.
Etleva Malushaj, zyrtare e programit të RrGK-së, duke analizuar të gjeturat e raportit të vlerësimit bazë të udhëzimeve, theksoi rëndësinë që raportet të tilla të kenë përfshirje të perspektivës gjinore. Po ashtu, ajo kërkoi që në pjesën e metodologjisë të ketë më shumë të dhëna demografike për secilin vend.
Malushaj po ashtu ngriti rëndësinë që të dhënat e paraqitura të zbërthehen tutje sipas llojit të pjesëmarrjes së organizatave në vlerësim, gjinisë, etnisë dhe aftësisë. Për organizatat që punojnë për të drejta të grave, këto të dhëna do të shërbenin për të analizuar tutje situatën në vend.
Forumi ka vazhduar me sesione tematike ku pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të shkëmbejnë njohuri, praktika dhe ide të ndryshme nga vendet prej nga vijnë.