Më 9 nëntor 2024 u mbajt Mbledhja e Anëtareve të Rrjetit të Grave të Kosovës, një ngjarje kyçe për avancimin e të drejtave dhe forcimin e zërit të grave në Kosovë. Organizatat anëtare dhe gratë e përkushtuara që punojnë çdo ditë për barazinë gjinore, u mblodhën për të reflektuar mbi arritjet e tyre dhe për të diskutuar sfidat që ende qëndrojnë përpara. Diskutimet ishin të përqendruara në fuqizimin e grave dhe në nevojën për një aleancë të fortë që synon ndryshimin në gjithë Kosovën.
Igballe Rogova, Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, e hapi takimin duke falënderuar secilën anëtare për kontributin e palodhur në rrugëtimin drejt barazisë. Me një mesazh të qartë dhe të fuqishëm, ajo theksoi se ky është një rrugëtim ku gratë janë protagoniste. “Në Kosovë, është akoma ndjenja e patriarkalizmit, dhe është duke u forcuar. Kurrë më shumë nuk duhet të ndahemi, por të bashkohemi. Kemi nevojë për solidaritet me njëra-tjetrën”.
Rogova vazhdoi të flasë për rëndësinë e mbështetjes dhe bashkëpunimit mes organizatave anëtare, për të ndërtuar një rrjet të fortë që jo vetëm që pasqyron zërin e grave, por që është i vendosur të kërkojë llogaridhënie nga institucionet në çështje që ndikojnë në jetën e grave. Ajo bëri thirrje për veprim dhe guxim për t’i përballuar sfidat e përditshme, duke theksuar se “Shoqëria civile duhet të forcohet dhe të dalë të thotë që jemi këtu, ne jemi më të fuqishëm”.
Ndërkohë, disa nga përfaqësueset e organizatave anëtare ndanë përvojat e tyre, duke vënë në dukje mbështetjen e Rrjetit të Grave të Kosovës në fuqizimin e tyre dhe projektet për mbrojtjen e të drejtave të grave. Ato e cilësuan Rrjetin si një partner të pazëvendësueshëm që ka ndihmuar në përballimin e sfidave dhe përmbushjen e qëllimeve të përbashkëta, por po ashtu, theksuan punën e tyre të përditshme rreth kauzës së përbashkët.
Drejt fundit të takimit, Rogova ndau vizionin për një qasje të re në prag të zgjedhjeve të ardhshme: “Zgjedhjet po na vinë. Por këtë herë nuk do të dalim të thërrasim t’i votojnë gratë. Tash do të themi se duhet të bashkohemi. Do ta bëjmë një manifest. Do të shkojmë të kërkojmë dialog me liderë të partive. Pastaj në manifest i vendosim çështjet që duhet”.
Mbledhja shërbeu si një përkujtesë se zëri i grave në Kosovë është më i fortë kur është i bashkuar dhe i palëkundur përballë sfidave.