Me afrimin e zgjedhjeve të ardhshme, të cilat do të mbahen më 9 shkurt të vitit 2025, shoqëria civile ka përgatitur një Manifest për Zbatimin e të Drejtave të Njeriut dhe Barazisë Gjinore në Kosovë.
Janë 12 organizata nga shoqëria civile që kanë nënshkruar këtë Manifest që i drejtohet të gjitha partive politike në Kosovë që të kenë prioritet dhe të mbrojnë të drejtat e grave.
“E ardhmja jonë varet nga përkushtimi për barazi, drejtësi dhe respekt për të gjithë qytetarët. Ky manifest përshkruan kërkesat thelbësore që do të duhej të respektohen dhe të integrohen në politikat e partive politike. Gjithashtu, i bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të adresojnë kërkesat tona në programet e tyre partiake”, thuhet mes tjerash në thirrjen e përbashkët.
Ky Manifest ndërthur në vete 9 pika kyçe në vazhdim, ku shoqëria civile është fokusuar dhe bën thirrje për: Fushatë zgjedhore pa gjuhë të urrejtjes; Votoni dhe respektoni Ligjin e Punës; Votoni Kodin Civil që mbron të drejtat e njeriut; Zbatimi i Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor sipas Ligjit për Barazi Gjinore; Zbatimi i Ligjit kundër Dhunës me Bazë Gjinore; Rritja e qasjes në kopshte publike duke përfshirë edhe zonat rurale; Siguroni qasje në shëndetësi, sigurime shëndetësore dhe shëndet riprodhues; Fuqizoni një sistem arsimor që ndryshon normat gjinore; dhe Respektimi i parimeve të Ligjit për Barazi Gjinore drejt rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë.
Përmes këtij Manifesti, organizatat e shoqërisë civile i bëjnë thirrje të gjitha partive politike që t’i miratojnë këto parime dhe të demonstrojnë përkushtimin e tyre ndaj të drejtave të grave përmes veprimeve dhe politikave të tyre. Por poshtu, i bëjnë thirrje votuesve që t’i mbajnë përgjegjës liderët politikë dhe të mbështesin kandidatët që kanë prioritet barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.
Për të gjitha detajet që i përmban ky Manifest, lexojeni KËTU të plotë.
Manifesti është nënshkruar nga:
Artpolis – Art and Community
Iniciativa Kosovare per Stabilitet – IKS
Instituti Riinvest
Kosova – Women 4 Women
Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS)
Qendra Kosovare për Studime Gjinore
CEL Kosova
QIKA
Csgd Kosovo
Rrjeti i Grave të Kosovës
Network of Roma, Ashkali and Egyptian Women’s Organizations of Kosovo
The Foundation House