Rritja e Pjesëmarrjes së Grave dhe Përshtatja e Politikave për Barazi 

Mitrovica Women Association for Human Rights (MWAHR) është një nga organizatat anëtare të Rrjetit të Mbikëqyrjes së Buxhetimit Gjinor në Ballkanin Perëndimor dhe Republikën e Moldavisë (RrMBGJ). Si pjesë e këtij rrjeti, MWAHR ka realizuar një monitorim të detajuar të buxhetimit në Komunën e Mitrovicës, duke bërë një hap të rëndësishëm për të siguruar një shpërndarje të barabartë dhe të drejtë të buxhetit. 

Përmes nismës “Fuqizimi i Transparencës dhe Llogaridhënies për Barazinë Gjinore në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi”, në të cilën ka marrë pjesë edhe MWAHR-ja, objektivi i tyre specifikisht ka qenë rritja e pjesëmarrjes së grave në takimet e dëgjimeve publike që organizon komuna, për të marrë rekomandime për përpilimin e qarkores buxhetore vjetore.  

“Gjithmonë ka një përceptim të gabuar te buxhetimi gjinor, sepse mendojnë që gjithmonë duhet t’u jepet grave dhe ato janë prioritare, më shumë fonde apo më shumë mundësi. Mandej iu shpjegojmë që buxhetimi gjinor, barazia gjinore parasheh gjini të barabarta”, tregon Vetone Veliu, drejtore ekzekutive e MWAHR-së.   

Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ) është një strategji që ka për qëllim integrimin e perspektivës gjinore në procesin e planifikimit dhe buxhetimit të qeverisë. 

Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor është një nga prioritetet kryesore të punës së MWAHR-së, e cila për gati tre vjet ka monitoruar punën e drejtorive përkatëse në komunën e Mitrovicës, për të vlerësuar zbatimin e politikave buxhetore me një perspketivë gjinore.  

Nga këto monitorime, MWAHR ka hartuar dy raporte të detajuara që përmbajnë analiza mbi ndarjen e buxhetit dhe nivelin e përfshirjes gjinore, duke pasur ndikim në rritjen e  transparencës dhe llogaridhënies, në qasjen e drejtë ndaj burimeve financiare. 

Qëllimi i këtij monitorimi është analizimi i zbatimit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në komunën e Mitrovicës dhe përkushtimi i zyrtarëve përkatës që miratojnë vendime për shpërndarjen e drejtë dhe të përgjegjshme të buxhetit komunal për gra dhe burra. Me hartimin e raportit i cili ka dalë në fund të iniciativës së MWAHR-së, është synuar rritja e efikasitetit dhe transparencës së shpenzimit të buxhetit komunal. 

Sesionet dëgjimore me drejtorët/et, të organizuara, kanë pasur një impakt më të madh. Në prani të rreth 20 pjesëmarrësve, drejtorët/et kanë prezantuar buxhetin që kanë ndarë, duke shpjeguar se sa fonde janë alokuar për projekte dhe subvencione, dhe si është bërë ndarja nga këndvështrimi gjinor.

Drejtoritë që janë monitoruar janë: Drejtoria e Bujqësisë, Drejtoria e Administratës, Drejtoria e Shëndetësisë, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Drejtoria e Mirëqenies Sociale, Drejtoria  Rini Kulture dhe Sport, Drejtoria e Financave dhe Zyra për Punësim. 

“Mitrovica nuk qëndron keq me ndarjen e buxhetimit gjinor, e respekton pasi që mundohet me respektu ligjin, përndryshe nuk është ndoshta diçka që i japin rëndësi buxhetimit gjinor, por e mira është që e respektojnë ligjin dhe duhet t’i shpërndajnë subvencionet siç duhet”, është shprehur Vetone Veliu. 

Ndër të tjera ajo thekson rëndësinë që e kanë iniciativat e tilla për të vënë në pah nevojat dhe kërkesat e grave. “Gratë gjithmonë presin që dikush me marrë iniciativën për diçka, nëse dikush nuk e merr iniciativën, nuk e merr rolin e lideres, ato presin dikush me i drejtu, ma iniciativë, kshtu që është vështirë me mendu që ato me vetë dëshirë, me vetë vullnet me shku me kërku diçka që atyre ju takon”, shton ajo.  

Sipas Veliut, kur flitet për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, është e rëndësishme të merren parasysh fushat dhe aspektet që mund të avancojnë financat e grave. Ajo thekson se panairet kanë një rëndësi thelbësore, pasi ofrojnë mundësi për promovimin e produkteve të tyre, rritjen e vizibilitetit dhe forcimin e pavarësisë ekonomike të grave 

Organizimi i panaireve është një mundësi e shkëlqyer për gratë të përfitojnë ekonomikisht, duke shitur ushqime dhe veshmbathje që i përgatisin vetë. Edhe një periudhë e shkurtër në panaire mund të sjellë përfitime të mëdha për to.  

“Për ne, storje suksesi janë panairet të cilat ju japin mundësi grave të rëndomta të kenë të mira materiale për familjet e tyre me shitjet që i arrijnë”, Vetone Veliu. 

Gjatë panaireve minimum 30 gra që merren me ndërmarrësi kanë përfitime të mëdha dhe suksese, këto janë suksese të mëdha të cilat janë të dukshme. 

“I kemi pasë diku 335 pjesëmarrës nëpër aktivitete, edhe besoj që kanë marrë informata të shumta në këto takime”, tregon ndër të tjera Veliu.  

Për të rritur edhe ndikimin te publiku, MWAHR ka bashkëpunuar me TV Mitrovica dhe e ka prezantuar punën e tyre edhe në kanalin në YouTube. Për të mësuar më shumë rreth punës që e ka bërë MWAHR përmes hulumtimit, mund ta lexoni raportin e plotë në këtë vegëz.  

Nisma “Fuqizimi i Transparencës dhe Llogaridhënies për Barazinë Gjinore në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi,” e përkrahur nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), në kuadër të RrMBGJ-së, është financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).