Presidenca e Austrisë ftoi Igballe Rogovën, Drejtoren Ekzekutive të Rrjetit të Grave të Kosovës, që të jepte një video-mesazh për të shënuar 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Grave, gjatë një ngjarjeje të organizuar nga Presidenca në Vjenë.
Në mesazhin e saj prej 1 minuti e gjysmë, Rogova theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis vendimmarrësve dhe organizatave të pavarura për të sjellë ndryshime dhe për të çuar përpara shoqërinë.
Ajo ndau shembullin e bashkëpunimit të ngushtë mes ish-Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe organizatave për të drejtat e grave në mbështetje të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, kur ajo themeloi Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në vitin 2014.
Në fund, Rogova falënderoi taksapaguesit austriakë për mbështetjen e tyre, përmes Agjencisë Austriake për Zhvillim, ndaj aktivisteve të RrGK-së, mbështetje e cila ka kontribuuar në këtë dhe ndryshime të tjera të rëndësishme në Kosovë.
RrGK ka bashkëpunuar me ADA-n që nga viti 2012, duke realizuar disa arritje, përfshirë:
• Që nga viti 2012, përmes Fondit të Grave të Kosovës (FGK), RrGK ka dhënë më shumë se 100 grante me vlerë 346,607 €, duke ndihmuar 13,204 persona në përmirësimin e shëndetësisë, arsimit, mirëqenies ekonomike dhe mbrojtjes nga dhuna.
• RrGK ka fuqizuar mbi 1,700 gra të angazhohen në vendimmarrje dhe politikë, disa për herë të parë.
• Iniciativat e mbështetura nga FGK përfshinë 264 përpjekje avokuese, duke ndikuar në më shumë se 15 ndryshime të politikave për përmirësimin e jetës së grave në Kosovë.
• Që nga viti 2021, anëtaret e RrGK-së kanë inspiruar 659 gra të avokojnë dhe kanë dokumentuar 73 raste të abuzimeve ndaj të drejtës së grave për shëndetësi, duke mbajtur institucionet përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve cilësore.
• Është analizuar paragjykimi gjinor në tetë libra shkollorë, janë trajnuar 22 mësues dhe janë vëzhguar 65 orë mësimore për të promovuar një qasje gjithëpërfshirëse në arsim, duke rezultuar në tetë raporte me rekomandime për përmirësimin e kurrikulës.
• Avokimi i RrGK-së ka ndikuar në hartimin e Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit Kundër Dhunës në Familje (2016-2020), duke integruar 70% të rekomandimeve të RrGK-së nga hulumtimi i mbështetur nga ADA më 2015.
• RrGK ka përdorur litigjin strategjik për rastet e dhunës me bazë gjinore, ka avokuar për miratimin e Konventës së Stambollit nga Kosova në vitin 2020 dhe ka mbështetur kriminalizimin e dhunës në familje dhe ngacmimit seksual në Kodin Penal.
• Në bashkëpunim me strehimoret, avokimi i RrGK-së ka ndihmuar në sigurimin e financimit të qëndrueshëm nga qeveria për strehimoret dhe qendrat ditore për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore.
• Që nga viti 2021, RrGK ka ofruar ndihmë juridike falas në 129 raste dhe ka monitoruar 186 raste të dhunës me bazë gjinore për të avancuar drejtësinë.
• RrGK ka ndikuar në 277 ligje dhe politika të reja në lidhje me dhunën me bazë gjinore, përfshirë shërbimet sociale. Ndër to, RrGK ka bashkë-drejtuar hartimin e Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale (2022).
• Me kërkesë të Qeverisë, RrGK ka zhvilluar një kurrikulë për punonjësit socialë për trajtimin më të mirë të rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe ka trajnuar 15 punonjës socialë (2023).
• Ekspozita “Dhuna nuk fshihet mrena mureve” ka edukuar 5,580 persona në dhjetë komuna për raportimin e dhunës.
• Raporti i RrGK-së “Fakte dhe Fabula për Rezolutën 1325” (2011, 2022) ka dokumentuar zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, duke kontribuuar në Agjendën globale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përfshirë punën e NATO-s në këtë drejtim.
RrGK pret me padurim të vazhdojë bashkëpunimin me popullin austriak, përmes ADA-s, për të avancuar të drejtat e grave në të ardhmen.