Më 22–23 korrik 2025, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) bashkëpunoi me Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (FKShC) dhe Community Building Mitrovica (CBM) për realizimin e modulit të dytë të Shkollës për Aktivizëm, i cili ishte i fokusuar në Integrimin Gjinor në punën e organizatave të shoqërisë civile.
Nicole Farnsworth, Zëvendësdrejtore dhe Hulumtuese Kryesore në RrGK, kontribuoi në trajnim duke aplikuar përvojën e saj mbi dy dekada në avancimin e barazisë gjinore në Kosovë dhe në nivel ndërkombëtar. Ajo i udhëhoqi pjesëmarrësit përmes koncepteve kyçe gjinore, sfidave për barazi gjinore në Kosovë, komunikimit të ndjeshëm gjinor dhe metodave konkrete për zbatimin e perspektivës gjinore në të gjitha fazat e ciklit të projektit.
Pjesa e fundit e trajnimit u ligjërua nga Donjeta Morina, eksperte e barazisë gjinore me përvojë të gjerë në këtë fushë, e cila udhëhoqi një diskutim interaktiv mbi përfshirjen e perspektivës gjinore në Monitorim, Vlerësim dhe Mësim (MEL), duke ndarë njohuri praktike nga puna e saj me institucione dhe organizata të shoqërisë civile.
Pjesëmarrësit vlerësuan lartë trajnimin, duke theksuar: “Edhe pse kishim disa njohuri themelore, ky trajnim na duhej me të vërtetë, na dha mjete konkrete për ta zbatuar integrimin gjinor në organizatat tona.”
Ky bashkëpunim pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të RrGK-së për forcimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile në promovimin e barazisë gjinore në praktikë. RrGK synon ta vazhdojë bashkëpunimin me FKShC edhe në iniciativa të reja në të ardhmen. Trajnimi u mbështet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia.