Lucia Caputo u rrit në një familje ku vlerat si kujdesi për “të gjithë dhe gjithsecilin” ishin në zemër të saj. Që në moshë të re, ajo u ekspozua ndaj bisedave për të drejtat e grave, barazinë gjinore dhe të drejtat e LGBTIQ+ dhe ideve për t’i pranuar njerëzit ashtu siç janë. Me kalimin e kohës, kur ajo u bë më e pjekur, Lucia e kuptoi se këto nuk ishin vetëm vlera personale, por edhe fusha të interesimit akademik ku ajo mund t’i zhvillonte kërkimet e saj. Kjo bëri që të ndërthurte studimet e saj primare mbi Historinë e Artit me studimet shtesë lidhur me Çështjet Gjinore, Gratë dhe Seksualitetin në Kolegjin Carleton në Minnesota të SHBA-ve. “Këto dy fusha kanë shumë pika të përbashkëta, veçanërisht kur bëhet fjalë për artin bashkëkohor”, shpjegon ajo. Si pjesë e studimeve të saj, Lucia së fundi përfundoi një punë praktike në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), e mundësuar përmes “Isla Internships”. Kjo i ka ndihmuar asaj të thellojë njohuritë për barazinë gjinore si dhe i ka mundësuar ta zbatojë përvojën akademike dhe përvojën e saj të punës në një mjedis real, duke punuar përkrah aktivisteve që po formësojnë politika të reja dhe po nxisin ndryshime.
Lucia për herë të parë dëgjoi për “Isla Internships” gjatë një sesioni informues në shkollën e saj. Ajo gjithashtu njihte dikë që kishte kryer praktikën në Kosovë vitin e kaluar. Pas kontaktit me ekipin e Isla-s, interesimet e saj u “përputhën” me punën e RrGK-në, që veçohej për ofrimin e mundësive më premtuese dhe më interesante.
Lucia mbërriti në Kosovë tetë javë më parë, vetëm pak kohë pasi kishte përfunduar Festivali FemArt, një ngjarje që do të kishte dashur shumë ta ndiqte, duke pasur parasysh sfondin e saj akademik. Edhe pse kjo ishte vizita e saj e parë në Kosovë, përshtatja ishte e lehtë. Duke qenë bijë e një nëne franceze, ajo ka kaluar shumë kohë në Evropë dhe i sheh ngjashmëritë kulturore. Lucia ka shijuar shumë aspekte të jetës në Prishtinë, përfshirë kulturën e kafesë, që i përshtatet në mënyrë të përkryer njërit prej hobeve të saj të preferuara: “vëzhgimi i njerëzve” nga një prej shumë kafeneve të Prishtinës.
Lucia ka një përvojë të gjatë në mjediset muzeale dhe arkivore. Ajo punon në koleksionet e muzeut të kampusit universitar ku ajo studion dhe ka realizuar projekte gjithëpërfshirëse të katalogimit dhe organizimit, duke përfshirë edhe projekte arkivore për biznese të vogla, madje edhe për një ordinancë stomatologjike. Puna e saj praktike në RrGK është mbështetur gjerësisht në këto aftësi. Lucia ka ndihmuar në riorganizimin dhe renditjen alfabetike të arkivave, bazës së të dhënave online dhe bibliotekës së RrGK-së, duke përmirësuar qasjen për stafin dhe vizitorët. E pyetur se nga vjen dashuria e saj për arkivimin, ajo qesh dhe thotë: “Besoj se thjesht jam një person shumë i organizuar, është diçka që më qetëson. Më pëlqen puna kur je përballë publikut dhe ndërvepron me njerëzit, por më pëlqen edhe organizimi dhe arkivimi, sepse është një punë individuale ku i kushton kohën tënde”.
Një projekt tjetër në të cilin Lucia ka punuar gjatë kohës së saj në RrGK është një rrëfim për Fondin e Grave të Kosovës, duke reflektuar mbi ndikimin e tij që nga viti 2012, veçanërisht tani që RrGK është detyruar ta pezullojë Fondin për herë të parë që nga themelimi. Puna në këtë studim i mësoi asaj shumë mbi procesin e shkrimit dhe redaktimit: “Si studente, kur shkruan ese apo punime, ka një proces redaktimi, por me një numër të kufizuar njerëzish. Për mua ishte shumë interesante ta shoh se si rrëfimi ‘kalon’ te shumë njerëz, veçanërisht kur është diçka që duhet të përkthehet në gjuhë të tjera. Më parë, nuk kisha pasur një përvojë të tillë”.
Duke reflektuar mbi çështjet gjinore dhe shoqërore, Lucia vëren se si Kosova, ashtu edhe SHBA-të kanë role dhe norma të forta gjinore. Një ndryshim pozitiv që e vëren në Kosovë është përpjekja e dukshme për t’i adresuar këto sfida, sidomos aktivizmi brenda shoqërisë civile: “Këtu, njerëzit me të vërtetë po ndërmarrin nisma”. Ndërsa shoqëria civile është aktive edhe në SHBA, veçanërisht organizatat jofitimprurëse në shtetin e saj të lindjes, në Kaliforni, ato kryesisht fokusohen në “mbushjen e boshllëqeve” të shërbimeve shtetërore. Duke e krahasuar me atje, Lucia ndien se në Kosovë, OJQ-të si RrGK-ja luajnë rol të rëndësishëm edhe në nivel të politikave të kësaj fushe.
Duke iu kthyer punës së saj praktike, Lucia thotë se e ka shijuar shumë kohën në RrGK, ashtu si edhe në të gjithë Kosovën. Pozita gjeografike e vendit e ka bërë të lehtë udhëtimin e saj gjatë fundjavave, dhe tashmë Lucia ka vizituar Prizrenin, të cilin e konsideron një qytet shumë të bukur, si dhe Shqipërinë fqinje, Maqedoninë e Veriut dhe së fundmi edhe Greqinë. Duke biseduar me praktikantë të tjerë të Isla-s, ajo vuri re se disa mendonin se puna e tyre po ecte ngadalë ose se nuk kishin shumë angazhime. Lucia për vete thotë se ka një përshtypje krejt tjetër. Ajo shprehet se e ndjen që në RrGK gjithmonë ka gjallëri dhe gjithmonë ka punë për të bërë, gjë që është shumë pozitive: “Barazia gjinore nuk është diçka që thjesht ngadalësohet gjatë verës,” thotë ajo me një buzëqeshje.
Në ditën e saj të fundit në RrGK, Lucia reflekton mbi përvojën e fituar nga një organizatë që punon me bazën e saj, si edhe perspektivën e fituar nga puna jashtë vendit. Ajo është e bindur se këto përvoja do t’i shërbejnë karrierës së saj në të ardhmen. Ajo largohet me një zotim edhe më të fortë për të avancuar barazinë gjinore kudo që shkon.
Nëse dëshironi të kontribuoni në punën e RrGK-së, ne gjithmonë kemi nevojë dhe mirëpresim vullnetare dhe vullnetarë me prejardhje, përvoja dhe vendndodhje të ndryshme. Për të mësuar më shumë rreth Programit tonë të Vullnetarëve, na kontaktoni në info@womensnetwork.org.