RrGK merr pjesë në Forumin e Shoqërisë Civile dhe “Think Tank”-ve të Procesit të Berlinit 2025

Më 22-23 shtator, anëtarja e Bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Maria Berishaj, mori pjesë në Forumin e Shoqërisë Civile dhe “Think Tank”-ve të Procesit të Berlinit 2025, i cili u mbajt në Podgoricë, Mali i Zi.

Procesi i Berlinit, i nisur nga Gjermania në vitin 2014, përbën një platformë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Që nga themelimi, ky proces është zhvilluar përmes samiteve vjetore, të cilat organizohen çdo vit në një shtet të ndryshëm. Këtë vit, samiti u mbajt nën udhëheqjen e Mbretërisë së Bashkuar.

Përveç samitit, Procesi i Berlinit përfshin takime ministrore dhe disa ngjarje të rëndësishme anësore, përfshirë Forumin e Shoqërisë Civile dhe “Think Tank”-ve. Ky forum u mundëson organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve kërkimore të angazhohen drejtpërdrejt me vendimmarrës nga rajoni dhe Bashkimi Evropian. Përmes këtij dialogu, perspektivat dhe rekomandimet e tyre integrohen në një proces të nivelit të lartë politik, duke ndihmuar që nevojat dhe prioritetet e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor të reflektohen në procesin e integrimit evropian.

Forumi i këtij viti mblodhi mbi 130 përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar dhe propozuar zgjidhje mbi gjashtë tema kyçe që po ndikojnë në të ardhmen e rajonit: tregu i përbashkët rajonal dhe rritja ekonomike; gjinia dhe diversiteti; pajtimi dhe ballafaqimi me të kaluarën; mjedisi, energjia dhe dekarbonizimi; siguria; si dhe qeverisja e mirë.

“Një diskutim veçanërisht i fuqishëm u zhvillua rreth gjinisë dhe diversitetit,” theksoi Maria Berishaj. “Pavarësisht angazhimeve formale, reformat mbesin të fragmentuara, pak të financuara dhe gjithnjë e më shumë të minuara nga rritja e lëvizjeve kundër barazisë gjinore dhe tkurrja e hapësirës qytetare. Grupet e margjinalizuara – duke përfshirë gratë, personat LGBTIQ+, komunitetin Rom dhe të rinjtë të cilët vazhdojnë të përballen me diskriminim strukturor, ndërsa OSHC-të në terren shpesh anashkalohen dhe përballen me mungesë të mbështetjes financiare.”

Për të adresuar këto sfida, paneli për barazi gjinore propozoi këto rekomandime:

  • Integrimi i barazisë gjinore në të gjitha proceset e reformave, përfshirë planet e rritjes, tregun e përbashkët rajonal, tranzicionin e gjelbër dhe agjendën e transformimit digjital;
  • Themelimi i një Fond për Inovacion Gjinor për të mbështetur nisma pilot dhe ndërsektoriale të udhëhequra nga OSHC-të si dhe reforma institucionale në fusha si ekonomia e kujdesit, pajtimi, gjithëpërfshirja digjitale dhe demokracia lokale – i projektuar që të jetë transparent, me pjesëmarrje të duhur dhe llogaridhënës;
  • Sigurimi i financimit të qëndrueshëm për infrastrukturën feministe, përfshirë mbështetjen bazë afatgjatë për OSHC-të feministe dhe qendrat e pavarura për kërkime gjinore në Ballkanin Perëndimor;
  • Krijimi i mekanizmave të drejtpërdrejtë të financimit për organizatat kombëtare dhe lokale, veçanërisht ato që punojnë me komunitete të përjashtuara në mënyrë strukturore, me qëllim të reduktimit të varësisë nga ndërmjetësit ndërkombëtarë.

Përmes amplifikimit të këtyre zërave, Forumi i Shoqërisë Civile dhe i “Think Tank”-ve dëshmoi se ndryshimi i qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor nuk varet vetëm nga angazhimet politike në nivel të lartë, por edhe nga pjesëmarrja gjithëpërfshirëse, e mbështetur mirë dhe e larmishme e shoqërisë civile.