Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mori pjesë sot në konferencën Gratë, Paqja dhe Siguria: Përballja me kërcënimet e reja përmes Bashkëpunimit Rajonal organizuar nga Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë e themeluar nga Zyra e Presidentës së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani.
Besarta Breznica, Zyrtare e Programit për Adresimin e Dhunës në Baza Gjinore mori pjesë në panelin “Qasjet rajonale për parandalimin e dhunës me bazë gjinore në Evropën Juglindore”. Gjatë këtij paneli ajo theksoi sfidat e institucioneve për zbatim të legjislacionit duke filluar nga mungesa e stafit dhe mungesa e infrastukturës institucionale.
Përveç kësaj, ajo tha se institucionet e drejtësisë ende kanë vështirësi në zbatim të ligjeve për shkak të mentalitetit patriarkal dhe tradicional.
“Institucionet e drejtësisë shpesh herë dështojnë në vlerësim të rrezikut në raste të dhunës në familje, krijojnë aktakuza të dobëta dhe gjyqtarët ende japin dënime shumë të ulëta për kryerësit e veprave penale”.
Faza e hartimit të Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale u përmend si shembull pozitiv i bashkëpunimit në mes organizatave lokale, ndërkombëtare dhe institucioneve shtetërore. Si shembuj pozitiv gjithashtu u ndan edhe kampanjat e shumta që organizatat e grave i bëjnë vazhdimisht dhe ofrimi i ndihmës juridike falas për të gjitha viktimat e dhunës në baza gjinore.
Në fund u vlerësua edhe bashkëpunimi ndër vite me organizata të Ballkanit Perëndimor dhe punën e tyre të përbashkët në krijim të hulumtimeve dhe ofrimit të ndihmës ligjore falas.
