Përmirësimi i Qasjes së Grave në Kujdesin Shëndetësor në Zonat Rurale të Rahovecit

Në Kosovë, veçanërisht në zonat rurale, qasja në shërbimet bazike shëndetësore dhe të shëndetit riprodhues, mbeten të kufizuara. Financimi i pamjaftueshëm ka sjellë mungesë të pajisjeve mjekësore dhe specialistëve, cilësi të dobët të kujdesit dhe shërbime të pasigurta të maternitetit dhe emergjencës. Gratë nga komunitetet minorene shpesh përballen me barriera të shtuara.

Duke e njohur këtë sfidë, OJQ Gruaja Fermere nisi një nismë lokale për të përmirësuar qasjen e grave në kujdes shëndetësor cilësor. Gjithsej 291 pjesëmarrës, kryesisht gra dhe vajza nga 11 fshatra të komunës rurale të Rahovecit, morën pjesë në aktivitetet e projektit, përmes kombinimit të aktiviteteve ndërgjegjësuese, edukimit dhe avokimit, Gruaja Fermere fuqizoi gratë që të kuptojnë të drejtat e tyre dhe të raportojnë shkeljet, duke bashkëpunuar njëkohësisht me institucionet shëndetësore për përmirësime sistematike.

Ndërgjegjësimi Përmes Edukimit

Gruaja Fermere zhvilloi 11 takime joformale për të ngritur ndërgjegjësimin mbi kujdesin shëndetsor cilësor tek gratë dhe vajzat, duke përfshirë edhe ato nga komunitetet minorene. Këto sesione u fokusuan në edukimin e pjesëmarrëseve rreth të drejtave të tyre, me theks të veçantë në shëndetin riprodhues dhe amësor, si dhe në udhëzime për mënyrën e raportimit të shkeljeve. Gratë u inkurajuan gjithashtu të avokojnë aktivisht për të drejtat e tyre në institucionet lokale. Gjatë takimeve, 20 raste të shkeljeve u dokumentuan nga Gruaja Fermere dhe më pas iu prezantuan Qendrës së Mjekësisë Familjare në Rahovec. Gratë pjesëmarrëse gjithashtu theksuan prioritetet e tyre kryesore, duke përfshirë rritjen e numrit të mjekëve dhe infermierëve të përhershëm në zonat rurale, qasjen në shërbime lokale të specialistëve dhe zgjerimin e edukimit shëndetsor për tema si planifikimi familjar dhe sëmundjet jo të transmetueshme.

Gruaja Fermere organizoi 11 ligjërata të synuara për gratë shqiptare, rome dhe serbe. Nën udhëheqjen e një doktoreshe, këto ligjërata trajtuan tema si parandalimi i kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës, teknikat e duhura të vetëkontrollit dhe kur të kërkohet ndihmë mjekësore, si dhe menaxhimin e sëmundjeve sekualisht të transmetueshme, në përputhje me prioritetet e shprehura gjatë takimeve në fshatra.

Forcimi i Shërbimeve Shëndetësore Lokale

Nisma përfshiu edhe vizita në terren në ambulancat e fshatrave për të vlerësuar funksionimin e mekanizmave për të drejtat e pacientëve. Gjatë vizitave, ekipi i Gruaja Fermere kontrolloi prezencën e kartelave të të drejtave të pacientëve, formularëve të ankesave, kutive të ankesave dhe komisioneve të shqyrtimit të tyre. U identifikuan disa probleme: në disa klinika mungonin kutitë e ankesave; aty ku ishin të pranishme, mjekët informuan se shumica e pacientëve nuk ishin në dijeni për procesin e raportimit; dhe në disa fshatra mjekët ishin rrallë të pranishëm, duke detyruar banorët të udhëtonin deri në qendër të Rahovecit për kujdes mjekësor.

Diskutimet me gratë lokale zbuluan sfida shtesë, përfshirë mungesën e informacionit nga mjekët, higjienë të pamjaftueshme dhe mungesë të kontrolleve pasuese. Edhe pse gratë shprehën gatishmëri për të raportuar problemet për të përmirësuar sistemin shëndetësor, shpesh u mungonte besimi se institucionet do t’i trajtonin ankesat në mënyrë të duhur.

Avokimi për Ndryshime Institucionale

Bazuar në këto gjetje, Gruaja Fermere përgatiti rekomandime për përmirësimin e mekanizmave të trajtimit të ankesave, të cilat iu dorëzuan Drejtorisë së Qendrës së Mjekësisë Familjare. U organizua një tryezë e rrumbullakët me tetë zyrtarë komunalë të shëndetësisë, ku Gruaja Fermere avokoi për adresimin e problemeve që kishin ngritur gratë. Diskutimet u përqendruan në përmirësimin e qasjes në kujdes shëndetësor dhe sigurimin e funksionimit të mekanizmave të ankesave, si dhe në nevojat më urgjente të grave për kujdes. Zyrtarët u zotuan të zbatojnë rekomandimet aty ku është e mundur, duke krijuar bazën për përmirësime të prekshme.

Rezultatet Afatgjata

Falë përpjekjeve të avokimit nga Gruaja Fermere, u themeluan Klinika të Mjekësisë Familjare në fshatrat Brestovc, Zoqisht dhe Denjë, me mjekë që punojnë nga ora 07:00 deri në 15:00. Tashmë, personat e moshuar mund të marrin ndihmë në klinika për të hapur llogari online në E-Kosova, ku mund të zgjedhin ofruesin e kujdesit shëndetësor. Sistemi institucional për menaxhimin e ankesave të pacientëve është forcuar. Kartelat e të drejtave të pacientëve janë të ekspozuara, kutitë e ankesave funksionojnë dhe një komision shqyrtues siguron përgjigje me shkrim brenda dhjetë ditëve. Gratë dhe burrat në Rahovec tani kanë një rrugë të qartë dhe të përgjegjshme për të ngritur shqetësime dhe për të marrë përgjigje që u garantohen me ligj. Për më tepër, një mjek dhe një infermiere kryejnë vizita në shtëpi për t’u ofruar kujdes atyre që nuk mund të arrijnë klinikën.

Përvoja e Gruaja Fermere tregon se ndryshimi i vërtetë vjen nga fuqizimi i komuniteteve, krahas forcimit të institucioneve. Duke u ofruar grave njohuri mbi të drejtat e tyre dhe duke krijuar mekanizma të besueshëm për zbatimin e tyre, u arritën përmirësime të prekshme në qasjen dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor. Nisma dëshmon se kur pacientët janë të informuar dhe institucionet mbahen përgjegjëse, edhe komunitetet më të margjinalizuara mund të përjetojnë ndryshim domethënës dhe afatgjatë.

Nisma e Gruaja Fermere “Promovimi i kujdesit shëndetësor parësor për gratë e Rahovecit” u realizua me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), në shumën prej 9,930 euro, nga janari deri në dhjetor 2024. Kjo nismë kontribuoi drejtpërdrejt në programin e RrGK “E drejta për shëndet”.