RrGK mban trajnim mbi Dhunën Në Baza Gjinore për MMPHI

Me datë 27.11.2025, Rrjeti i Grave të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, organizoi një trajnim të dedikuar për zyrtarët e këtij institucioni, me fokus te dhuna me bazë gjinore. Trajnimi synonte të ofronte një kuptim më të thelluar të konceptit të dhunës me bazë gjinore, duke nisur nga përkufizimet, format e saj dhe ndikimi që ajo ka në jetën e grave dhe vajzave. Në këtë kuadër, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë edhe mënyrat se si stereotipet gjinore dhe normat shoqërore ndikojnë në vazhdimësinë e kësaj dhune.

Në pjesën e dytë të trajnimit, u prezantua dhe u analizua korniza ligjore dhe institucionale që Kosova ka në fuqi për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore. Zyrtarët u njohën me procedurat që duhet të ndjekin kur identifikojnë një rast, mënyrat korrekte të referimit, si dhe mekanizmat që u mundësojnë institucioneve të reagojnë në mënyrë të koordinuar dhe efektive. Diskutimet u fokusuan edhe te sfidat aktuale institucionale dhe rëndësia e reagimit të shpejtë në situata të rrezikut.

Në fund të trajnimit, zyrtarët theksuan se informimi dhe ngritja e kapaciteteve të tyre mbi këtë temë është thelbësore për të garantuar një reagim të përgjegjshëm dhe të bazuar në ligj. Një zyrtare u shpreh se përmes këtij sesioni ka arritur të kuptojë më qartë se çfarë përfshin dhuna me bazë gjinore, si dhe legjislacionin që Kosova ka ndërtuar për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave. Ajo shtoi se ky trajnim i ka ndihmuar të kuptojë më mirë rolin e saj si zyrtare dhe përgjegjësinë institucionale në adresimin e rasteve të tilla.