Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka organizuar së fundmi një punëtori dyditore në Gjilan për profesionistët e Qendrave për Punë Sociale nga rajoni i Gjilanit dhe Ferizajit, e fokusuar në dhunën në familje, dhunën seksuale dhe trafikimin. Punëtoria kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve të profesionistëve të vijës së parë përmes avancimit të njohurive mbi menaxhimin e rasteve, mekanizmat e referimit dhe koordinimin ndërinstitucional në nivel lokal.
Punëtoria u facilitua nga Besarta Breznica, Zyrtare e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, e cila ofroi udhëzime praktike mbi parandalimin, identifikimin, trajtimin dhe referimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore. Diskutimet u fokusuan në qasje të ndjeshme gjinore dhe të përqendruara te viktima, duke reflektuar mbi sfidat dhe nevojat reale në ofrimin e shërbimeve sociale.
Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “Përmirësimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për të Rritur Qasjen në Mbrojtje Sociale Cilësore për Gratë dhe Burrat e Ndryshëm”, i përkrahur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Përmes këtij projekti, RrGK synon të kontribuojë në ndërtimin e një sistemi të mbrojtjes sociale më të koordinuar, gjithëpërfshirës dhe efektiv.
Në vazhdimësi të kësaj nisme, Rrjeti i Grave të Kosovës do të organizojë punëtori të ngjashme edhe në rajonin e Prishtinës dhe në rajonin e Dukagjinit, si dhe një punëtori të veçantë për profesionistët socialë nga komuniteti serb. Këto aktivitete synojnë forcimin e përgjigjes institucionale ndaj dhunës me bazë gjinore dhe sigurimin e mbështetjes së dinjitetshme dhe në kohë për viktimat në të gjitha rajonet e Kosovës.
