Për shumë gra me aftësi të kufizuara, të ndjehesh e pare dhe e dëgjuar mund të duket e pamundur — deri sa dikush troket në derën tuaj

Përmes fushatës derë më derë, Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) angazhoi gra me aftësi të kufizuara të cilat kishin qenë të izoluar për një kohë të gjatë, veçanërisht në zonat rurale. Këto vizita krijuan lidhje të reja, i integruan gratë për herë të parë në hapësira kolektive dhe forcuan besimin brenda komunitetit.

Një grua përshkroi se si vizita ndryshoi ndjesinë e saj të përkatësisë:

“Jam jashtëzakonisht e lumtur që më vizituat dhe që tani jam pjesë e një grupi grash që janë në të njëjtën gjendje si unë. Jam e lumtur që më keni përfshirë në aktivitetet tuaja, ku po mësoj për të drejtat e mia dhe për mundësitë për një jetë më të mirë dhe më aktive.”

Shumë përfitues theksuan se sa e rëndësishme ishte që fushata të realizohej nga vetë personat me aftësi të kufizuara, çka rriti besimin, hapjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim:

“Jam befasuar pozitivisht. Nuk e kam pritur kurrë që një person me aftësi të kufizuara të vinte në terren, të na vizitonte dhe të na mbështeste drejtpërdrejt. Kjo iniciativë më bëri të ndjehem e vlerësuar dhe më dha guxim të flas për përvojat e mia. Do të doja shumë që këto vizita të vazhdojnë, sepse kanë ndikim real në jetën tonë.”

Një tjetër grua nënvizoi se sa fuqizuese ishte të merrte informacion nga dikush që përballet me sfida të ngjashme:

“Fillimisht nuk mund ta besoja që dikush si unë, një person në karrocë, do të vinte personalisht në shtëpinë time për të më informuar dhe për të më dëgjuar. Ishte hera e parë që u ndjeva vërtet e kuptuar dhe e barabartë. Fakti që informacionet për rreziqet dhe mbrojtjen nga dhuna dixhitale m’i shpjegoi një person që përballet me sfida të ngjashme, më dha siguri, besim dhe forcë.”

OPDMK ka përfunduar me sukses iniciativën “Addressing Gender-based Violence in Kosovo among People with Disabilities”, duke kontribuar ndjeshëm në fuqizimin dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara në parandalimin dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore (GBV) dhe dhunës me bazë gjinore të lehtësuar nga teknologjia (TFGBV).

Iniciativa u realizua përmes një qasjeje kreative dhe gjithëpërfshirëse të edukimit publik, me synim forcimin e njohurive dhe kapaciteteve të personave me aftësi të kufizuara për të identifikuar, raportuar dhe reaguar ndaj rasteve të GBV dhe TFGBV. Duke marrë parasysh barrierat e shumta strukturore dhe institucionale me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara, përfshirë mungesën e qasjes, neglizhencën institucionale dhe përjashtimin social, OPDMK angazhoi komunitetet përmes një fushate intensive derë më derë.

Përmes vizitave direkte në terren, u arritën gjithsej 1,352 persona, përfshirë 407 persona me aftësi të kufizuara, në komunat e Prizrenit, Suharekës, Mitrovicës, Prishtinës, Gjakovës, Ferizajt dhe Gjilanit. Fletëpalosje dhe materiale edukative u shpërndanë në gjuhët shqipe, serbe, boshnjake dhe rome, duke siguruar që informacionet mbi GBV dhe TFGBV të jenë të kuptueshme dhe të qasshme për të gjithë, veçanërisht për grupet më të margjinalizuara. Kjo qasje e drejtpërdrejtë mundësoi komunikim të hapur dhe të qasshëm, duke krijuar hapësira të sigurta për ndarjen e informacionit, ngritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e besimit brenda komunitetit.

Përveç aktiviteteve në terren, iniciativa arriti ndikim të konsiderueshëm edhe në hapësirën digjitale. Përmes postimeve të sponsorizuara në rrjetet sociale, fushata arriti mbi 900,000 shikime, duke zgjeruar ndjeshëm shtrirjen e mesazheve dhe duke rritur ndërgjegjësimin publik mbi sfidat specifike që përjetojnë personat me aftësi të kufizuara.

Iniciativa u realizua nga OPDMK, në kuadër të projektit të zbatuar nga East-West Management Institute (EWMI) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), duke ilustruar se bashkëpunimi strategjik mund të sjellë ndryshim të qëndrueshëm dhe të rëndësishëm në jetën e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.