Përmes bujqësisë, artizanatit dhe promovimit të produkteve vendore, Duart e Arta Llapjane krijon mundësi që puna dhe aftësitë e grave të njihen dhe të vlerësohen.
E themeluar në vitin 2023 dhe e udhëhequr nga drejtoresha Shukrije Neziri, organizata mbështet dhe këshillon gratë e Komunës së Podujevës në zhvillimin e veprimtarive të tyre.
Duart e Arta Llapjane e nisi rrugëtimin me 20 anëtare, ndërsa sot numëron mbi 150. Sipas përfaqësueseve të saj, ajo është shoqata më e madhe e grave në Podujevë. Rritja e shpejtë e anëtarësisë tregon se gratë kanë krijuar besim në organizatë dhe kanë gjetur një hapësirë ku mund të bashkëpunojnë, të zhvillojnë aftësitë dhe ta mbështesin njëra-tjetrën.
“Kam dëshirë t’i shoh gratë sa më të lidhura mes vete dhe duke e ndihmuar njëra-tjetrën. Vullneti dhe bashkëpunimi i tyre më motivojnë çdo ditë”, tha Neziri.
Puna e organizatës përqendrohet në bujqësi, fuqizim ekonomik dhe barazi gjinore. Anëtaret merren me përgatitjen e ushqimeve tradicionale, ëmbëlsirave dhe turshive, si dhe me krijimin e punimeve të dorës dhe produkteve të tjera artizanale.
Panairet dhe aktivitetet kulturore janë ndër mënyrat kryesore përmes të cilave organizata i promovon gratë dhe produktet e tyre. Gjatë panaireve, anëtaret shpërndajnë kartëvizita dhe informata të kontaktit, duke krijuar mundësi që qytetarët të porosisin produktet e tyre edhe pas përfundimit të aktiviteteve.
Më 24 dhe 25 qershor 2026, Duart e Arta Llapjane bashkëpunoi në organizimin e një panairi për promovimin e produkteve tradicionale dhe artizanale në Podujevë. Aktiviteti shërbeu si platformë për promovimin e grave prodhuese, mbështetjen e prodhuesve vendorë dhe prezantimin e produkteve autentike të rajonit të Llapit.
Përmes panaireve të tilla, puna që gratë shpesh e zhvillojnë brenda shtëpisë bëhet më e dukshme në hapësirën publike. Ato krijojnë mundësi për promovimin dhe shitjen e produkteve, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e lidhjeve të reja, duke kontribuar njëkohësisht në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Krahas punës së drejtpërdrejtë me gratë, Duart e Arta Llapjane avokon pranë institucioneve për mbështetjen e tyre në zhvillimin e bizneseve, promovimin e prodhimeve vendore dhe krijimin e mundësive të reja në ndërmarrësi.
Një tjetër aktivitet që bashkoi fuqizimin e grave me ruajtjen e traditës ishte “FLI FEST 2026”, i mbajtur më 16 gusht në Podujevë. Duart e Arta Llapjane kontribuoi në organizimin e festivalit, i cili iu kushtua gastronomisë, kulturës dhe mikpritjes llapjane.
Gjatë festivalit, pesë gra përgatitën dhe prezantuan pesë flija tradicionale, duke shpalosur mjeshtërinë, përkushtimin dhe njohuritë e tyre. Aktiviteti mblodhi qytetarë, përfaqësues të institucioneve dhe bashkatdhetarë, duke e kthyer traditën në një pikëtakim mes komunitetit dhe diasporës.
Për Duart e Arta Llapjane, ruajtja e traditës lidhet ngushtë me fuqizimin ekonomik të grave. Aftësitë në bujqësi, artizanat dhe përgatitjen e produkteve tradicionale mund të shndërrohen në mundësi për krijimin e të ardhurave, zhvillimin e bizneseve dhe rritjen e pavarësisë ekonomike.
Puna e organizatës mbështetet nga një staf prej tre personash dhe një bord me tri anëtare. Për shkak të renovimit të stacionit policor, organizatës i është dashur ta lirojë përkohësisht hapësirën ku vepronte, ndërsa po bashkëpunon me Komunën për adresimin e kësaj çështjeje.
Gjatë takimit me Shukrije Nezirin, drejtoreshë e Duart e Arta Llapjane, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) diskutoi për zhvillimin e organizatës, rritjen e anëtarësisë, mënyrat e promovimit të produkteve dhe planet për krijimin e më shumë mundësive për gratë.
Në vitin 2026, Duart e Arta Llapjane iu bashkua RrGK-së si një nga organizatat më të reja anëtare. Anëtarësimi krijon mundësi për shkëmbimin e përvojave me organizatat e tjera të grave, krijimin e lidhjeve të reja dhe përfshirjen në nisma të përbashkëta për fuqizimin ekonomik dhe avancimin e të drejtave të grave.
RrGK-ja i uron mirëseardhje Duart e Arta Llapjane dhe do ta mbështesë përfshirjen e saj në Rrjet, duke fuqizuar bashkëpunimin dhe zërin e grave nga rajoni i Llapit në nismat dhe proceset e përbashkëta.
Më shumë rreth punës dhe aktiviteteve të Duart e Arta Llapjane mund të mësoni në faqen e saj në Facebook. Për informata rreth produkteve dhe anëtareve që i përgatisin ato, mund ta kontaktoni organizatën drejtpërdrejt përmes faqes së saj.
