Për Organizatën e Personave me Distrofi Muskulare të Kosovës (OPDMK) përfshirja nuk nënkupton vetëm praninë e personave me aftësi të kufizuara, por mundësinë që ata të mësojnë, të punojnë, të krijojnë dhe të marrin pjesë aktivisht në shoqëri.
Një nga rezultatet më të rëndësishme të OPDMK-së është avokimi për qasshmërinë e infrastrukturës publike në Prizren. Pas më shumë se 15 vjetësh kërkesa dhe avokim, u realizua një tualet publik i qasshëm.
Organizata po vazhdon angazhimin për përshtatjen e transportit publik dhe stacioneve të autobusëve sipas standardeve të qasshmërisë.E themeluar në vitin 2003 në Prizren, OPDMK punon për promovimin e mundësive të barabarta dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me distrofi muskulare dhe personave të tjerë me aftësi të kufizuara.
Misioni i saj përfshin avancimin e të drejtës për shkollim, aftësim dhe riaftësim profesional, qasje në shërbime rehabilituese dhe pjesëmarrje të barabartë në jetën shoqërore. Krahas mbështetjes së drejtpërdrejtë, OPDMK avokon për përmirësimin e ligjeve dhe politikave që ndikojnë në jetën e personave me aftësi të kufizuara.
Përmes ligjëratave, trajnimeve, aktiviteteve sportive dhe sesioneve ndërgjegjësuese, organizata punon me personat me aftësi të kufizuara, familjet e tyre, institucionet dhe qytetarët. . Përmes një fushate intensive derë më derë, ekipi ka arritur drejtpërdrejt 1,352 persona, përfshirë 407 persona me aftësi të kufizuara.
Një nga aktivitetet kryesore është “Java e Distrofisë Muskulare”, e cila shënohet çdo vit me nisma që promovojnë barazinë, qasshmërinë dhe përfshirjen. Në vitin 2025, nën moton “Barazi për të gjithë”, OPDMK organizoi ekspozita, aktivitete artistike dhe veprime ndërgjegjësuese.
Punimet artizanale të krijuara nga gra dhe vajza me aftësi të kufizuara u ekspozuan për publikun, duke kontribuar në mbështetjen e tyre ekonomike, rritjen e vetëbesimit dhe dukshmërisë së tyre.
Në kuadër të aktivitetit “Pema e Barazisë”, qytetarët lanë gjurmët e duarve të tyre në shenjë mbështetjeje për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Programi përfshiu edhe performanca të përbashkëta të vajzave që përdorin karroca dhe balerinave, duke përcjellë mesazhin se arti dhe jeta kulturore duhet të jenë të hapura dhe të qasshme për të gjithë.
OPDMK punon gjithashtu për qasje më të lehtë në shërbimet sociale dhe familjare dhe ofron shërbime fizioterapeutike e psikologjike, pajisje ndihmëse dhe informim për shërbimet ekzistuese dhe përdorimin e platformave digjitale, përfshirë E-Kosova. Organizata ka avokuar vazhdimisht edhe për çështjen e asistentit personal.
Përfshirja nënkupton edhe pjesëmarrje në vendimmarrje. Në një nga proceset zgjedhore, 11 persona me aftësi të kufizuara nga e gjithë Kosova—katër gra dhe shtatë burra—kandiduan për pozita politike, ndërsa një përfituese e OPDMK-së fitoi mandat.
Gjatë takimit me Antigona Šestanin dhe Resmije Rahmanin, bashkëthemeluese të OPDMK-së, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) diskutoi për punën dhe rezultatet e organizatës, barrierat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara, si dhe mundësitë për vazhdimin e bashkëpunimit.
Anëtare e RrGK-së që nga viti 2011, OPDMK ka kontribuar në nisma për avancimin e të drejtave të grave, barazisë gjinore dhe për përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara.
RrGK do të vazhdojë bashkëpunimin me OPDMK-në dhe organizatat e tjera anëtare, duke mbështetur përpjekjet për një shoqëri pa barriera, ku secili person mund t’i realizojë të drejtat dhe potencialin e vet.
Më shumë rreth punës dhe aktiviteteve të OPDMK-së mund të mësoni në faqen e saj në Facebook.
