Aktivistet avokojnë se procesi i anëtarësimit në BE ndihmon në avancimin e barazisë gjinore

Bashkimi Evropian (BE) duhet “të investojë në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, në mënyrë sikur me të vërtetë doni të dalim fitimtarë”, tha Nicole Farnsworth, zëvendësdrejtoreshë dhe hulumtuese kryesore në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), duke cituar deklarata të bëra nga aktiviste të të drejtave të grave në ngjarje të ndryshme. Kjo deklaratë pasqyron një shqetësim të ngritur vazhdimisht nga grupet e grave nga Ballkani Perëndimor (BP) gjatë vizitës së tyre të fundit në Bruksel: partnerët e BE-së – akterë kyç në avancimin e agjendës së saj – janë në rrezik të madh, pa financim strategjik, të qëndrueshëm dhe të dedikuar. Kufizimet e vazhdueshme me të cilat përballen organizatat për të drejtat e grave (OShCG) mund të minojë avancimin e vlerave të BE-së, përfshirë qeverisjen e mirë, demokracinë, sundimin e ligjit, qasjen në drejtësi, të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore. Prandaj, aktivistet i bëjnë thirrje BE-së që të ndajë fonde të dedikuara për OShCG-të, në përputhje me zotimet e saj në kuadër të Agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë.

Më 22–25 mars, RrGK bashkoi forcat me Fondacionin Kvinna till Kvinna dhe OShCG-të partnere nga i gjithë BP, duke organizuar një javë aktivitetesh avokuese dhe veprimi të përbashkët në Bruksel. Për më shumë se 10 vjet, ky koalicion ka avokuar për rritjen e vëmendjes ndaj nevojave të grave dhe burrave të grupeve të ndryshme në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, përfshirë edhe përmes vizitave vjetore në Bruksel, të mbështetura nga Fondacioni Kvinna till Kvinna dhe Suedia. Megjithatë, kjo mund të jetë vizita e fundit e këtij lloji, për shkak të shkurtimit të fondeve.

Partnerët shfrytëzuan mundësinë e të qenët së bashku për të reflektuar mbi rezultatet e përbashkëta gjatë ngjarjes publike “Mbrojtja e demokracisë: Organizatat për të drejtat e grave në procesin e anëtarësimit në BE”. Aktivistet theksuan se ky bashkëpunim ka forcuar partneritetet afatgjata, ka sjellë rezultate konkrete, si qindra ligje dhe politika më gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj aspektit gjinor, si dhe ka kontribuar në forcimin e barazisë, demokracisë dhe paqes. OShCG-të kanë kontribuar në proceset e anëtarësimit në BE, ofruan shërbime jetike të parashikuara me ligj, por të pa mbështetura financiarisht nga shteti, përfshirë shërbimet për mbijetarat e dhunës me bazë gjinore; përmirësuan qasjen në drejtësi përmes ndihmës juridike falas dhe monitorimit të institucioneve të drejtësisë për të kërkuar llogari nga ato; zhvilluan hulumtime për të mbështetur ndryshime ligjore dhe në politika të bazuara në prova; mbështetën dhe monitoruan reformat; dhe forcuan demokracinë dhe qeverisjen e mirë përmes rritjes së përfshirjes së grave në politikë, vendimmarrje, buxhetim dhe në proceset e anëtarësimit në nivele të ndryshme, çka mundësoi reformat më gjithëpërfshirëse dhe të zbatueshme.

Gjatë ngjarjes “Mbrojtja e Demokracisë”, Farnsworth prezantoi gjetjet nga raporti i fundit i RrGK-së, “Të sfiduara, por të qëndrueshme: Situata e organizatave të grave në Kosovë”. Ajo theksoi se OShCG-të janë thelbësore, jo opsionale, për procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE, duke nënvizuar se grupet e grave kanë qenë forca kryesore pas arritjeve kyçe në demokraci, qeverisje të mirë, sundim të ligjit, qasje në drejtësi dhe të drejtat e njeriut. Duke u bazuar në raportin, i cili përfshin anketa me më shumë se 100 OShCG në Kosovë, ajo gjithashtu tërhoqi vëmendjen ndaj sfidave financiare me të cilat përballen këto organizata.

OShCG-të përballen me një hapësirë të ngushtë për veprim, e kombinuar me shkurtime të fundit të financimit nga SHBA-ja dhe donatorët e njohur evropianë, gjë që kërcënon kontributin e tyre kyç në procesin e anëtarësimit në BE. Planet e BE-së për shpërndarjen e fondeve vetëm përmes Agjendave të Reformës dhe përmes donatorëve të mëdhenj (të cilët shpesh japin grante të vogla dhe afatshkurtra) mund të dobësojnë punën e OShCG-ve, pasi këto grante nuk mundësojnë avokim të qëndrueshëm për të ndikuar në ligje dhe politika, veçanërisht për shkak të paqëndrueshmërisë politike në BP-në. Kjo mund të pengojë progresin drejt arritjes së vlerave të BE-së, si të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore. Farnsworth theksoi se uljet në financim kanë çuar në reduktim të shërbimeve, përfshirë ato për viktimat e dhunës me bazë gjinore, si dhe dobësim të përpjekjeve të avokimit, monitorimit, ndërgjegjësimit, edukimit dhe hulumtimit. Kjo gjithashtu ka çuar në djegie profesionale te aktivistet.

Farnsworth dhe Etleva Zeneli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore gjithashtu u takuan me përfaqësues të Komisionit Evropian (KE) dhe të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS). Zeneli theksoi se mungesa e një qeverie funksionale ka ngadalësuar progresin në proceset e paqes dhe në reformat kyçe ligjore drejt barazisë, si ndryshimet në Ligjin e Punës, ligjet për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe Kodi Civil. Farnsworth dhe Zeneli ofruan informacion të përditësuar mbi pabarazitë gjinore në Kosovë, të cilat duhet të adresohen në Pakon e ardhshme të Zgjerimit, përfshirë në kapitujt mbi sigurinë, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe klimën. Edhe pse korniza ligjore për adresimin e dhunës me bazë gjinore është përmirësuar, ato theksuan nevojën për mbrojtje shtesë ndaj dhunës së kryer përmes teknologjisë në Kodin Penal, si dhe për ndarje më të plota buxhetore për zbatimin e Konventës së Stambollit, veçanërisht për qendrat për trajtimin e rasteve të përdhunimit, strehimoret dhe linjën SOS. Ato gjithashtu theksuan nevojën për institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, për të mbështetur përdorimin e fondeve mbi bazën e provave. Për më tepër, nevojiten mekanizma më të fortë institucionalë për të siguruar integrimin sistematik të barazisë gjinore në hartimin e politikave, përfshirë edhe në kontekstin e anëtarësimit në BE, dhe OShCG-të duhet të përfshihen në mënyrë kuptimplote në proceset e anëtarësimit dhe të ndërtimit të paqes.

Ata gjithashtu u takuan me përfaqësues të KE-së që fokusohen në Planin e Rritjes dhe Agjendat e Reformës. Analizat e fundit nga RrGK-ja dhe anëtare të tjerë të Rrjetit Mbikëqyrës të Buxhetimit Gjinor tregojnë se agjendat për reforma në përgjithësi nuk e integrojnë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor. Ato e trajtojnë barazinë gjinore si një parim të integruar në mënyrë të përgjithshme dhe jo si një qasje konkrete buxhetore, dhe nuk ka as baza, as objektiva dhe tregues që lidhin qartë fondet me rezultatet konkrete në avancimin e barazisë gjinore. Kjo, së bashku me faktin që fondet integrohen direkt në buxhetet kombëtare dhe nuk ndahen për qëllime të veçanta, e bën të vështirë të ndiqet ndikimi i tyre në avancimin e barazisë gjinore.

Koalicioni gjithashtu u takua me përfaqësues të Përfaqësisë së Përhershme të Irlandës në BE, teksa Irlanda po përgatitet të marrë Presidencën e Këshillit të BE-së.

Për më shumë informacion, shihni analizën e Fondacionit Kvinna till Kvinna, “Analiza gjinore e raporteve të Komisionit Evropian për vitin 2025 për vendet në proces të anëtarësimit”, e cila ofron rekomandime për përfshirje më të theksuar të perspektivës gjinore në këto raporte dhe në proceset e anëtarësimit në BE në përgjithësi.