Nga vështirësitë në vetëbesim: mbështetja e vajzave në vitet e adoleshencës

Për shumë vajza adoleshente, kalimi në këtë fazë të jetës mund të jetë i mbingarkuar. Ndryshimet fizike dhe emocionale ndodhin shpejt, ndërkohë që lindin edhe pyetje të shumta rreth marrëdhënieve, sigurisë dhe mirëqenies së tyre. Megjithatë, në shumë shkolla në Kosovë, tema si puberteti, shëndeti emocional dhe ngacmimi seksual rrallë trajtohen hapur. Pa hapësirë të sigurt ku mund të pyetje apo të kërkojnë këshillë, shumë vajza detyrohen ta përballojnë vetë këtë periudhë të rëndësishme të jetës.

Duke e identifikuar këtë boshllëk, Instituti i Psikologjisë së Aplikuar (“Alpha”) nisi iniciativën “Mbështetja e vajzave adoleshente për t’i kapërcyer problemet sociale dhe emocionale”. Kjo iniciativë kishte për qëllim t’u ofronte vajzave njohuri, vetëbesim dhe mbështetje, në mënyrë që ato të kuptonin më mirë veten dhe sfidat që sjell adoleshenca.

Gjatë një periudhe prej tre muajsh, iniciativa përfshiu 102 gra dhe vajza nga komunitete të ndryshme, përfshirë pjesëmarrëse shqiptare, boshnjake dhe turke. Aktivitetet u zhvilluan në disa shkolla në Gjakovë, Prizren dhe Lubinjë e Epërme.

Alpha filloi me organizimin e ligjëratave interaktive për vajzat e klasave të teta dhe të nënta. Të udhëhequra nga profesor Neki Juniku, këto sesione u fokusuan në ndryshimet fizike dhe emocionale që ndodhin gjatë adoleshencës. Që në fillim, atmosfera ishte e hapur dhe dinamike. Vajzat u ndien të lira të shprehnin mendimet e tyre dhe të bënin pyetje, duke i kthyer takimet në diskutime të gjalla, jo në ligjërata të zakonshme.

Gjatë sesioneve, pjesëmarrëset mësuan për sfidat e zakonshme emocionale në adoleshencë, si pasiguria, stresi dhe vetëbesimi i ulët, si dhe eksploruan mënyra për t’i përballuar ato. Vajzat u inkurajuan gjithashtu që t’i ndajnë këto përvoja me persona të besuar.

Një pjesë veçanërisht e rëndësishme e iniciativës ishte përfshirja e nënave dhe vajzave së bashku. Në sesionet e përbashkëta, ato diskutuan për rolin që familjet mund të luajnë në mbështetjen e vajzave gjatë adoleshencës dhe në parandalimin e çështjeve si ngacmimi seksual dhe dhuna me bazë gjinore. Këto biseda krijuan hapësirë për dialog të sinqertë ndërmjet brezave, gjë që shpesh është e vështirë kur trajtohen tema të ndjeshme.

Pjesëmarrëset gjithashtu praktikuan teknika të thjeshta terapeutike, si ushtrimet e frymëmarrjes, relaksimi progresiv dhe ndërgjegjësimi (mindfulness). Këto mjete mund t’i ndihmojnë të rinjtë të menaxhojnë më mirë stresin, ankthin dhe sfidat emocionale në jetën e përditshme.

Për të siguruar që ndikimi i iniciativës të vazhdojë edhe pas përfundimit të aktiviteteve, Alpha inkurajoi disa nga vajzat më të angazhuara që të bëhen udhëheqëse të bashkëmoshatarëve në shkollat e tyre. Këto vajza u mbështetën në zhvillimin e ideve për aktivitete që mund t’i organizonin me shokët dhe shoqet e klasës, duke ndihmuar kështu në përhapjen e njohurive dhe mbështetjes mes tyre.

Kjo qasje “nga bashkëmoshatarët për bashkëmoshatarët” u tregua veçanërisht e fuqishme. Duke qenë se nxënësit shpesh përballen me përvoja dhe shqetësime të ngjashme, të mësuarit nga njëri-tjetri ndihmoi në krijimin e një ndjenje mirëkuptimi dhe solidariteti.

Në fund të iniciativës, shumë vajza raportuan se ndiheshin më të sigurta në vetvete, më të informuara dhe më të përgatitura për të përballuar sfidat e adoleshencës. Në të njëjtën kohë, nënat u bënë më të vetëdijshme për rëndësinë e mbështetjes dhe komunikimit të tyre gjatë kësaj faze të jetës së vajzave të tyre.

Më e rëndësishme është se iniciativa ndihmoi në krijimin e një hapësire të sigurt brenda shkollave, ku vajzat ndiheshin të lira të diskutonin tema që për një kohë të gjatë janë konsideruar tabu. Përmes njohurive, dialogut të hapur dhe mbështetjes ndërmjet bashkëmoshatarëve, ajo tregoi se edhe përpjekjet e vogla në komunitet mund të sjellin ndryshime të rëndësishme në jetën e grave të reja në Kosovë.

Grupet e udhëheqëseve të reja vazhdojnë aktivitetet e tyre në shkolla dhe bisedat e nisura përmes këtij projekti pritet të vazhdojnë, duke ndihmuar edhe më shumë vajza të ndihen të mbështetura, të informuara dhe të sigurta teksa rriten.

Nisma e Institutit të Psikologjisë së Aplikuar “Mbështetja e vajzave adoleshente për t’i kapërcyer problemet sociale dhe emocionale“ u realizua me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (FGK) të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), e financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), me shumën prej 5,000 eurosh, nga tetori deri në dhjetor 2021. Iniciativa kontribuoi drejtperdrejt në programin e RrGK-së “Edukimi që transformon normat gjinore”.