Dhuna në familje, dhuna me bazë gjinore dhe dhuna ndaj grave nuk përfundojnë me raportimin e rastit. Për shumë të mbijetuara, ajo është vetëm fillimi i një rruge të gjatë dhe shpesh të vështirë përmes institucioneve, nga momenti i raportimit në polici, te trajtimi në qendrat për punë sociale, e deri te procesi gjyqësor ku vendoset nëse drejtësia do të jetë reale apo vetëm formale.
Për këtë arsye, Rrjeti i Grave të Kosovës vazhdon monitorimin sistematik të rasteve gjyqësore, duke synuar jo vetëm transparencë dhe llogaridhënie, por edhe mbështetje konkrete për të mbijetuarat në çdo hap të këtij procesi.
Nga viti 2025 deri në maj të vitit 2026, janë monitoruar gjithsej 155 raste të dhunës me bazë gjinore, përfshirë edhe raste të femicidit, ndërsa kemi këshilluar dhe asistuar 38 raste. Këto raste kanë zbuluar sfida serioze në funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Nga raportimi te mbështetja institucionale – sfidat në praktikë
Për shumë gra dhe vajza, kontakti i parë me institucionet ndodh në momentin e raportimit në polici. Edhe pse ka përparime në trajtimin e rasteve, ende hasen sfida në dokumentimin e plotë të rasteve, në vlerësimin e rrezikut dhe në ofrimin e masave të menjëhershme mbrojtëse.
Në këtë fazë,RrGK ka luajtur rol aktiv në mbështetjen e viktimave për të realizuar të drejtat e tyre. Në praktikë, kjo ka nënkuptuar jo vetëm këshillim ligjor, por edhe shoqërim dhe asistim të drejtpërdrejtë gjatë raportimit të rasteve.
Në një rast konkret, një grua ishte thellësisht skeptike për të raportuar dhunën, pasi sipas saj, rasti i mëparshëm nuk ishte trajtuar seriozisht nga institucionet. ,RrGK e ka informuar për të drejtat e saj, e kainkurajuar dhe e kashoqëruar gjatë raportimit në polici, duke siguruar që deklarata e saj të merret në mënyrë të duhur dhe rasti të trajtohet me seriozitetin e nevojshëm.
Në disa raste, mungesa e koordinimit të duhur ndërmjet policisë, prokurorisë dhe qendrave për punë sociale ka rezultuar në vonesa në trajtim, apo në mungesë të mbrojtjes së duhur për viktimat në fazat më kritike. Pikërisht në këto situata, ndërhyrja dhe përcjellja jonë e vazhdueshme ka qenë thelbësore për të siguruar që rastet të mos mbeten pa trajtim dhe që viktimat të mos mbeten të pambrojtura.
Procesi gjyqësor: mes vonesave, sfidave dhe ndërhyrjeve tona në praktikë
RrGK në vazhdimësi ka realizuar monitorimin e seancave gjyqësore në rastet e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore. Përmes këtij monitorimi, janë identifikuar një sërë parregullsish që ndikojnë drejtpërdrejt në qasjen në drejtësi dhe në trajtimin adekuat të viktimave gjatë procesit gjyqësor.
Një ndër sfidat më të shpeshta ka qenë shtyrja e seancave gjyqësore, shpesh për shkak të mungesës së palëve apo çështjeve procedurale. Këto vonesa kanë zgjatur proceset gjyqësore dhe kanë ndikuar në pasigurinë juridike të viktimave. Gjithashtu, janë evidentuar raste ku hetimet nuk janë zhvilluar në mënyrë të plotë, ndërsa aktakuzat janë ngritur mbi baza të kufizuara provash, në disa raste edhe mbi një provë të vetme. Kjo praktikë e dobëson pozitën e viktimës dhe rrezikon efikasitetin e ndjekjes penale. Një tjetër sfidë e vazhdueshme mbetet tërheqja e viktimave nga deklarimi, shpesh si rezultat i presionit, frikës apo mungesës së mbështetjes së qëndrueshme institucionale, duke ndikuar drejtpërdrejt në vazhdimin e procedurave gjyqësore. Po ashtu, janë hasur raste të nxitjes së pajtimit ndërmjet palëve, në kundërshtim me ndalimin ligjor të ndërmjetësimit në rastet e dhunës në familje, si dhe shqiptim i shpeshtë i dënimeve të buta (me kusht apo gjoba), të cilat në disa raste nuk janë proporcionale me peshën e veprave penale.
Përkundër këtyre sfidave, RrGK ka luajtur rol aktiv jo vetëm në monitorim, por edhe në mbështetje konkrete të viktimave gjatë gjithë procesit.
Në shumë raste, prania e monitoruesve në seancat gjyqësore ka ndikuar në rritjen e transparencës dhe ndjenjës së sigurisë për viktimat. “Unë ndjehem shumë më e sigurt që rasti im do të trajtohet më mirë kur jeni monitoruesit aty”, deklaroi një viktimë e mbështetur nga RrGK.
Bazuar në gjetjet e monitorimit, RrGK ka reaguar vazhdimisht ndaj parregullsive të identifikuara në rastet e dhunës me bazë gjinore. Përmes adresimit të rasteve konkrete dhe rekomandimeve të qarta drejtuar institucioneve relevante, RrGK ka kërkuar përmirësim të praktikave dhe respektim më të madh të të drejtave të viktimave.
Këto reagime kanë ndikuar që institucionet të rrisin vëmendjen ndaj trajtimit të rasteve të dhunës në familje dhe të tregojnë më shumë kujdes gjatë procedurave gjyqësore. Në disa raste, është vërejtur edhe rritje e përgjegjshmërisë institucionale si rezultat i këtyre ndërhyrjeve.
Përmes monitorimit, asistimit ligjor dhe avokimit të vazhdueshëm, RrGK ka kontribuar në forcimin e mbrojtjes së viktimave dhe në përmirësimin e qasjes së tyre në drejtësi.
