“Aty i kem marrë hapat e parë. Aty e kemi ndërtu jetën për së dyti prej zeros. E kemi ditë që na nuk jemi kon fajtore për atë që ka ndodh.”
Për D.K., të mbijetuarën e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, këto fjalë përmbledhin rolin që Medica Kosova pati për ta ndihmuar atë të rimerrte jetën e saj pas viteve të traumës, stigmës dhe izolimit.
Që nga viti 2003, Medica Kosova, organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), ka mbështetur të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës përmes shërbimeve psikosociale, ndihmës juridike, programeve për fuqizim ekonomik dhe avokimit. Një nga gratë që ka përfituar nga kjo mbështetje është D.K., e cila, gjatë një vizite nga RrGK, me bujari ndau përvojën e saj të shërimit, qëndrueshmërisë dhe rindërtimit të një të ardhmeje përtej traumës së luftës.
Kur D.K. u përfshi për herë të parë me Medica Kosova në vitin 2002, ajo ishte një nga shumë gratë që bartnin plagët e heshtura të luftës. Si shumë të mbijetuara të tjera, ajo përballej me pasojat afatgjata të traumës, si dhe me stigmën dhe gjykimin që i pengonin gratë të flisnin hapur për përvojat e tyre.
“Në rrugë me dalë, në dasmë me shku, krejt jon kon me gisht. Gratë largoheshin prej neve.”
Përmes grupeve të mbështetjes psikosociale dhe seancave individuale, D.K. gradualisht arriti ta kuptojë se nuk ishte përgjegjëse për atë që i kishte ndodhur.
“Aty i kem marrë hapat e parë. Aty e kemi ndërtu jetën për së dyti prej zeros. E kemi ditë që na nuk jemi kon fajtore për atë që ka ndodh.”
Medica Kosova i dha D.K.-së vetëbesim, mekanizma praktikë për t’u përballur me vështirësitë dhe forcën për të ecur përpara. Teknikat që ajo mësoi vite më parë vazhdojnë të jenë pjesë e jetës së saj të përditshme dhe ende e ndihmojnë t’i menaxhojë momentet e vështira.
“Na me u afru te dritarja, me marrë frymë shlir kur jena keq. Ata hala e demonstroj për çdo ditë. Kur më ngatërrohet kryt, rri vetëm derisa të qetësohem.”
Përmes programeve për fuqizim ekonomik, D.K. dhe shumë gra të tjera arritën të siguronin të ardhura për familjet e tyre dhe të rifitonin ndjenjën e pavarësisë. Me mbështetjen e Medica Kosova, ajo u përfshi në bujqësi dhe blegtori, duke krijuar mundësi që fëmijët e saj të vazhdonin shkollimin dhe duke e ndihmuar familjen e saj të ndërtonte një të ardhme më të qëndrueshme.
“Me ato pare i kem shkollu fëmijët, kem renovu shpinë dhe e kem vazhdu jetën. Tasht fëmijët tonë jon shkollu, jon martu e i kan familjet e veta.”
Përvoja e D.K.-së tregon se si mbështetja afatgjatë, e cila ndërthur ndihmën psikosociale me fuqizimin ekonomik, mund t’i ndihmojë të mbijetuarat të rifitojnë kontrollin mbi jetën e tyre dhe të krijojnë mundësi për brezat e ardhshëm.
Sot, kur D.K. reflekton mbi rrugëtimin e saj, ajo e sheh me habi transformimin që ajo dhe shumë të mbijetuara të tjera kanë arritur.
“Si me lind prej dytshi na ka ndihmu. Hej ku jemi kon na e ku jem sot. Vet mu kujtu nuk munesh me besu a jom qajo që jom kon e qitasht.”
D.K. beson se organizata si Medica Kosova kanë luajtur rol vendimtar për t’i ndihmuar të mbijetuarat të shërohen dhe të ecin përpara.
“Mos me pas kon qikjo mbështetje, na ishim kon shumë mbrapa. Mos me pas kon këto organizata, kurr s’kishim guxu me qel gojën.”
Mesazhi i saj për gratë që ende mund të hezitojnë të kërkojnë ndihmë është i thjeshtë:
“Mos e ngjo askënd. Lype të drejtën tane, se tu u mbyll në vete veç e shkatrron veten.”
Në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, rrëfimi i D.K.-së shërben si një kujtesë e fuqishme se rimëkëmbja është e mundur kur të mbijetuarat kanë qasje në mbështetje afatgjatë, mirëkuptim dhe mundësi ekonomike.
Inicialet e të mbijetuarës së përfshirë në këtë rrëfim janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e saj.
Nëse ju ose dikush që njihni është e mbijetuar apo i mbijetuar i dhunës seksuale dhe ka nevojë për mbështetje, ju lutemi kontaktoni Rrjetin e Grave të Kosovës për informata, referim dhe ndihmë.