Thyerja e barrierave në fushën e shëndetit të grave në komunitetet rurale të Kosovës

Në komunitetet rurale në mbarë Kosovën, qasja në informacione të besueshme shëndetësore mbetet e kufizuar. Bisedat për shëndetin riprodhues, kancerin e qafës së mitrës dhe kontracepsionin shpesh shoqërohen me stigmatizim, gjë që e bën edhe më të vështirë qasjen në informacione të sakta. Tabutë kulturore, vështirësitë ekonomike dhe mungesa e besimit në institucione vazhdojnë t’i pengojnë gratë dhe të rinjtë që të kenë qasje në informacionet dhe shërbimet shëndetësore që u nevojiten.

Duke i njohur këto sfida, Ruka Ruci ka punuar me gra, të rinj dhe familje serbe, shqiptare, rome dhe ashkali për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat në shëndetësi dhe për të forcuar besimin te shërbimet shëndetësore.

Thyerja e heshtjes mbi shëndetin e grave

Ruka Ruci organizoi 33 aktivitete, përfshirë punëtori informuese, ligjërata, diskutime mbi të drejtat e pacientëve, sesione ndërgjegjësimi për imunizimin dhe iniciativa advokuese për forcimin e mekanizmave institucionalë të ankesave. Ligjëratat u mbajtën nga mjekë specialistë në gjinekologji, obstetrikë dhe mjekësi familjare. Në total, 308 persona nga dymbëdhjetë fshatra në komunat e Fushë Kosovës dhe Graçanicës morën pjesë në këto aktivitete. Për shumë gra, këto aktivitete krijuan një mjedis të sigurt dhe mbështetës, ku ato ndiheshin të fuqizuara dhe të lira për të bërë pyetje rreth shëndetit të tyre.

Hapja e dialogut për shëndetin e grave

Ruka Ruci nuk u ndal vetëm te edukimi dhe rritja e ndërgjegjësimit, por punoi edhe për forcimin e llogaridhënies institucionale. Të gjithë pjesëmarrësve iu dha mundësia të dokumentonin ankesat lidhur me përvojat e tyre të mëparshme në sistemin shëndetësor, të cilat kishin të bënin me shkelje të të drejtave të pacientëve, përfshirë sjelljen e ashpër, mungesën e informacionit dhe kohë të gjata pritjeje. Nga katër ankesat e parashtruara, të gjitha u zgjidhën brenda afatit ligjor. Institucionet dhanë shpjegime dhe kërkuan falje secilit që ka paraqitur ankesë. Për shumë gra dhe të rinj që ishin mësuar të injoroheshin, fakti që institucionet i morën seriozisht pati një rëndësi të madhe

Ligjëratat dhe punëtoritë me punonjës shëndetësorë i nxitën pjesëmarrësit të përdorin shërbimet parandaluese shëndetësore, gjë që bëri që 38 gra t’i nënshtroheshin kontrolleve gjinekologjike. Sipas punonjësve shëndetësorë, “më shumë se 100 pjesëmarrës u bënë më aktivë në ndjekjen e mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve”, çka tregon rritje të ndërgjegjësimit dhe vetëbesimit në ushtrimin e të drejtave të tyre.

Ruka Ruci e ka zgjeruar shtrirjen e iniciativës përtej punëtorive dhe takimeve me komunitetin përmes fushatave në televizionet lokale RTK2 dhe TV Graçanica. Kjo ka ndihmuar që diskutimet për shëndetin riprodhues dhe kujdesin parandalues të arrijnë te një publik më i gjerë. Përveç kësaj, posterat informues në gjuhën shqipe dhe serbe janë shpërndarë në institucione lokale dhe në institucione arsimore, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, vaksinimin kundër HPV-së dhe të drejtat e pacientëve.

Një hap drejt ndryshimeve

Nisma Ruka Ruci ka pasur ndikim afatgjatë në komunitetet e përfshira. Diskutimet mbi temat tabu krijuan një mjedis ku gratë dhe të rinjtë u ndien të lirë të flasin për shëndetin e tyre, duke mësuar njëkohësisht si të mbrojnë të drejtat e tyre në sistemin shëndetësor.

Rritja e ndërgjegjësimit për të drejtat e pacientëve, kujdesin parandalues dhe shëndetin riprodhues ka kontribuar në forcimin e besimit midis komuniteteve dhe institucioneve shëndetësore. Aktivitetet e zhvilluara me gratë, të rinjtë dhe familjet e tyre nga komunitetet serbe, shqiptare, rome dhe ashkali në zonat rurale përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e informimit për shëndetin dhe qasjes në të drejtat shëndetësore, duke i inkurajuar ata të kujdesen më aktivisht për shëndetin dhe mirëqenien e tyre

Nisma e Ruka Ruci-t “Së bashku për shëndetin tonë” u zbatua me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (FGK) të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), e financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe e bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), në shumën prej 9,926€, nga janari 2024 deri në shkurt 2025. Nisma kontribuoi drejtpërdrejt në programin “E drejta në kujdesin shëndetësor” të RrGK-së.