RrGK kontribuon në një rregullore komunale gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme ndaj perspektivës gjinore

Komuna e Prishtinës së fundmi ka miratuar Rregulloren për Ndarjen e Subvencioneve, e cila përcakton rregullat për ndarjen e subvencioneve komunale në fusha si arsimi, zhvillimi ekonomik, bujqësia, mirëqenia sociale, shëndetësia, kultura, rinia dhe sporti. Gjatë procesit të konsultimit publik, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka dorëzuar komente me qëllim të forcimit të perspektivës gjinore në Rregullore, rritjes së transparencës dhe llogaridhënies, si dhe sigurimit që subvencionet komunale t’u përgjigjen më mirë nevojave të grave, vajzave dhe grupeve të tjera të nënpërfaqësuara.

Rreth 66% e rekomandimeve të RrGK-së u reflektuan në Rregulloren përfundimtare, duke e bërë atë më gjithëpërfshirëse dhe më të përgjegjshme ndaj perspektivës gjinore.

Një nga rekomandimet kryesore të RrGK-së ishte integrimi i buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në Rregullore. RrGK propozoi që subvencionet në fushën e arsimit të ndahen bazuar në analiza gjinore, për të identifikuar nëse gratë apo burrat përballen me pengesa më të mëdha në qasjen ndaj mundësive. Ky rekomandim u përfshi plotësisht në Rregulloren përfundimtare, e cila tani kërkon që subvencionet në arsim të ndahen duke marrë parasysh pabarazitë gjinore të identifikuara. Ky është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit që fondet publike të kontribuojnë në zvogëlimin e pabarazive gjinore, në vend që t’i promovojnë ato.

RrGK gjithashtu rekomandoi masa më të fuqishme për promovimin e mundësive të barabarta në zhvillimin ekonomik. Si rezultat, Rregullorja përfundimtare përfshiu një dispozitë të re që inkurajon punësimin e qëndrueshëm të gjinisë së nënpërfaqësuar në sektorin ekonomik. Kjo dispozitë e pranon se gratë dhe burrat nuk kanë mundësi të barabarta në të gjitha fushat e tregut të punës dhe se subvencionet komunale mund të ndihmojnë në adresimin e këtyre pabarazive.

Një tjetër përmirësim i rëndësishëm lidhet me transparencën dhe monitorimin. RrGK rekomandoi që përfituesit të raportojnë të dhëna të ndara sipas gjinisë, moshës, përkatësisë etnike dhe aftësisë së kufizuar pas zbatimit të aktiviteteve të subvencionuara. Komuna e pranoi këtë rekomandim dhe Rregullorja përfundimtare tani kërkon që këto të dhëna të mblidhen. Gjithashtu, ajo kërkon që Komuna të publikojë të dhëna të ndara për përfituesit sipas gjinisë, moshës, përkatësisë etnike dhe aftësisë së kufizuar, duke e bërë më të lehtë monitorimin e përfituesve të fondeve publike dhe duke rritur transparencën.

RrGK gjithashtu propozoi forcimin e dispozitave për barazi gjinore në të gjithë Rregulloren. Këto rekomandime u pasqyruan në versionin përfundimtar, duke përfshirë kërkesën për përfaqësim të balancuar gjinor në komisionet për vlerësimin e aplikimeve dhe shqyrtimin e ankesave, ndarjen e barabartë të subvencioneve në fushën e kulturës ndërmjet artisteve dhe artistëve, si dhe mbështetje me përparësi për gratë ndërmarrëse, familjet me gra kryefamiljare dhe të mbijetuarat e dhunës në familje në skemat përkatëse të subvencionimit.

Po ashtu, RrGK avokoi për njohje më të madhe të nevojave të të mbijetuarave të dhunës në familje dhe grupeve të tjera në nevojë. Rregullorja përfundimtare zgjeron kriteret e përfitimit dhe të përparësisë për subvencionet e banimit dhe mbështetjen sociale, duke përfshirë në mënyrë të qartë personat që kanë përjetuar ose janë në rrezik të përjetojnë dhunë në familje, duke siguruar që mbështetja komunale të arrijë tek ata që kanë më së shumti nevojë për të.

Duke përfshirë shumicën e rekomandimeve të RrGK-së, Rregullorja përfundimtare pasqyron një përkushtim më të madh ndaj barazisë gjinore, përfshirjes sociale dhe vendimmarrjes transparente krahasuar me draftin fillestar. Ajo dëshmon gjithashtu rolin e rëndësishëm që shoqëria civile luan në përmirësimin e politikave publike dhe në sigurimin që fondet komunale t’u përgjigjen nevojave të ndryshme të qytetarëve të Prishtinës.

RrGK pret të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet lokale për të promovuar qeverisjen e përgjegjshme ndaj perspektivës gjinore dhe për të siguruar që politikat publike dhe buxhetet të krijojnë mundësi të barabarta për gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë, si dhe për të gjithë anëtarët e shoqërisë.