Artpolis dhe fuqia e artit për të transformuar normat gjinore  

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet është një prej organizatave që, përmes artit, arrin të ndikojë përtej skenës. Për vite me radhë, Artpolis ka përdorur teatrin si një mjet për të sfiduar normat dhe stereotipet gjinore, duke krijuar hapësira për dialog, reflektim dhe ndërveprim me komunitetin. Përmes punës së drejtpërdrejtë me të rinjtë, ata i angazhojnë si pjesëmarrës aktivë në diskutimin dhe transformimin e mënyrës se si shoqëria i sheh dhe i përjeton rolet gjinore.   

Një nga nismat që e ka bërë Artpolisin veçanërisht të njohur në Kosovë dhe përtej saj është FemArt – Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve.   

I themeluar nga Zana Hoxha dhe i organizuar nga Artpolis që nga viti 2013, FemArt është kthyer në një nga festivalet më të mëdha feministe në Ballkan. Për më shumë se një dekadë, festivali ka krijuar hapësirë për artiste, aktiviste, muzikante, aktore, regjisore, shkrimtare, fotografe dhe krijuese nga Kosova, rajoni dhe bota.  

FemArt jo veç që e mbush kalendarin kulturor të Prishtinës, por që nga edicioni i parë, festivali është ndërtuar rreth pyetjeve dhe temave që prekin jetën e grave dhe grupeve të margjinalizuara: dhuna, liria, barazia, paqja, solidariteti, fuqizimi dhe sfidimi i normave patriarkale. Çdo edicion ka sjellë tema dhe zëra të rinj, duke e përdorur artin si mënyrë për të folur për çështje që shpesh trajtohen vetëm në hapësirat e aktivizmit.  

Anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës, Artpolis ka ndërtuar për më shumë se dy dekada një punë që lidh artin me të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, fuqizimin e grave dhe të rinjve dhe dialogun në komunitet.   

Kjo organizatë është themeluar në vitin 2004 nga regjisorja e teatrit dhe aktivistja Zana Hoxha. Artpolis nisi me një ide të qartë që arti mund të jetë më shumë sesa veç skenë dhe performancë. Mund të jetë mënyrë për të folur për shoqërinë, për të hapur tema që shpesh mbeten tabu dhe për t’i bërë njerëzit pjesë të ndryshimeve. Sot, organizata e përshkruan misionin e vet si ndërtim i fuqisë kulturore të grave dhe të rinjve për t’u bërë katalizatorë të transformimit shoqëror.  

Artpolis punon me të rinj nëpër Kosovë, organizon trajnime dhe klube teatrale, zhvillon metoda të Edukimit të Bazuar në Teatër dhe Forum Teatrit, krijon shfaqje dhe hap hapësira ku të rinjtë mund të flasin për atë që i shqetëson.  

Përmes Forum Teatrit, publiku bëhet pjesë e shfaqjes, diskuton me personazhet, vë në pikëpyetje situatat dhe propozon mënyra të tjera për t’u përballur me to. Kështu, skena bëhet vend ku mund të flitet për dhunën ndaj grave, dhunën online, diskriminimin, paragjykimet, kontrollin emocional dhe shumë prej problemeve që prekin jetën e përditshme.  

Një shembull i kësaj pune është edhe “Prapa Ekranit”, shfaqje forum teatër, e cila gjatë vitit 2026 është prezantuar në disa qytete të Kosovës dhe ka trajtuar abuzimin online, kontrollin emocional, bullizmin dhe format e reja të dhunës që po shfaqen në hapësirat digjitale.   

Për Zana Hoxhën, si regjisore, ajo ka krijuar dhe drejtuar mbi 20 shfaqje teatrore të prezantuara në Kosovë dhe në vende të ndryshme të rajonit, ndërsa angazhimin e saj e ka shtrirë edhe në Evropë, SHBA, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Para themelimit dhe zhvillimit të Artpolis dhe FemArt, ajo ishte pjesë e udhëheqjes artistike të SKENA UP dhe Drejtore artistike e Teatrit Profesional të Gjakovës.  

Në vitet e fundit, Artpolis ka vazhduar të zgjerojë mënyrat se si arti mund të lidhet me komunitetin. Ka punuar me shkolla, universitete, artistë të rinj, komunitete të ndryshme dhe organizata të shoqërisë civile.  

Tani, pas më shumë se dy dekadash, Artpolisi po ndërmerr një hap tjetër. 

Po krijon Stacionin Kulturor të Prishtinës.  

Hapësira, e cila po ndërtohet në zemër të Prishtinës, është menduar si një shtëpi e re për artin dhe komunitetin: me skenë për shfaqje, performanca e koncerte, galeri për ekspozita, punëtori dhe trajnime, si dhe hapësira të përbashkëta ku njerëzit mund të takohen. Siç ka treguar shpesh edhe vet organizata, një objekt i braktisur po rikthehet në jetë përmes një procesi të revitalizimit dhe po shndërrohet në një hapësirë ku artistët mund të krijojnë dhe komuniteti të takohet.  

Por, për ta bërë Stacionin plotësisht funksional, Artpolis është aktualisht duke mbledhur 100,000 euro. Fondet do të përdoren për pajisje teatrore dhe teknike, ndriçim dhe zërim, pajisje për galerinë dhe ekspozitat, si dhe mobilim dhe pajisje për hapësirat e përbashkëta të komunitetit.  

Synimi është që Stacioni Kulturor të hapë dyert më 25 shtator 2026, së bashku me hapjen e edicionit të 14-të të FemArt.  

Për një organizatë që për më shumë se 20 vjet ka krijuar hapësira për gra, të rinj, artiste dhe aktiviste, ky është një hap i rëndësishëm: t’i jepet një shtëpi e përhershme gjithë asaj pune që është bërë nëpër skena, shkolla, sheshe, festivale dhe komunitete.   

Këtu, në këtë link GoFundMe, mund të bëjë donacione secili prej jush që ka mundësi e dëshirë për ta ndihmuar Artpolisin.   

Më shumë rreth punës dhe aktiviteteve të Artpolisit, mund të mësoni në faqen e vet zyrtare në Facebook. Ndërsa, për t’i ndihmuar edhe vet organizatës, mund ta bëni duke i kontaktuar përmes email-adresës së tyre (ojq.artpolis@gmail.com).