Në kuadër të konferencës rajonale të OSBE-së për parandalimin dhe luftimin e femicidit në Evropën Juglindore, Adelina Berisha, Drejtore e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), mori pjesë në panelin “Standardet Operacionale për Mbledhjen e të Dhënave për Femicidin”, së bashku me eksperte dhe përfaqësuese nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe organizata ndërkombëtare.
Berisha vuri në pah rolin e pazëvendësueshëm të shoqërisë civile, veçanërisht të organizatave për të drejtat e grave, në dokumentimin e rasteve të femicidit dhe të trajektores së dhunës që u paraprin atyre.
Ajo theksoi se organizatat e grave shpesh janë ndër aktorët që kanë qasje më të drejtpërdrejtë te historitë e grave, familjeve dhe rasteve, duke sjellë në pah jo vetëm të dhënat statistikore, por edhe historikun e dhunës, raportimet e mëparshme, kontaktet me institucionet dhe mundësitë e humbura për ndërhyrje.
Në të njëjtën kohë, institucionet dhe institutet kërkimore disponojnë të dhëna të ndara dhe më specifike, të mbledhura sipas mandateve dhe nevojave të tyre. Sipas Berishës, vetëm përmes ndërthurjes së këtyre burimeve mund të krijohet një pasqyrë e plotë e rasteve të femicidit dhe të identifikohen më mirë modelet dhe faktorët e rrezikut.
Ajo theksoi veçanërisht nevojën për vlerësim më të mirë të rrezikut dhe bashkëpunim sistematik ndërsektorial, në mënyrë që informacioni i mbledhur nga policia, drejtësia, shërbimet sociale, shëndetësia dhe shoqëria civile të mos mbetet i fragmentuar, por të përdoret për ndërhyrje të hershme dhe parandalimin e humbjes së jetëve.
