Si mund të ndërtojmë lëvizje më të forta për barazi, kur sfidat me të cilat përballen shoqëritë tona nuk ndalen në kufijtë e një shteti, një komuniteti apo një lëvizjeje?
Kjo pyetje ishte në thelb të takimit treditor “Weaving Alliances for Gender Equality: From Local Action to Collective Impact” (“Ndërtimi i aleancave për barazinë gjinore: Nga veprimi lokal te ndikimi kolektiv”), i cili u mbajt në Stamboll dhe mblodhi aktiviste për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, përfaqësuese të shoqërisë civile dhe aleatë nga më shumë se 10 shtete të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, për të bashkëpunuar në hartimin e strategjive dhe forcimin e veprimit kolektiv. Takimi u organizua nga UN Women.
Si Rrjet i Grave të Kosovës (RrGK), ishim të lumtura të ishim pjesë e kësaj hapësire së bashku me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, duke ndërlidhur përvojat nga Kosova me diskutimet më të gjera rajonale dhe ndërkombëtare për barazinë, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe solidaritetin.
Përmes diskutimeve dhe punëtorive interaktive, pjesëmarrëset shqyrtuan mënyra për të forcuar veprimin kolektiv, për të arritur komunitete më të gjera, për të komunikuar vizionin tonë për të ardhmen dhe për të ndërtuar aleanca domethënëse ndërmjet lëvizjeve dhe konteksteve të ndryshme.
Një mesazh kryesor ishte se barazia gjinore nuk mund të trajtohet e veçuar. Të drejtat dhe sfidat e komuniteteve të ndryshme janë të ndërlidhura ngushtë. Kjo nënkupton forcimin e lidhjeve ndërmjet lëvizjeve që punojnë për mbrojtjen e klimës, të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, të drejtat LGBTQI+, të drejtat e komuniteteve joshumicë, të drejtat e grave, të drejtat e punëtorëve, të drejtat e të rinjve dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi.
Në një kohë kur narrativat kundër të drejtave dhe përpjekjet për kufizimin e të drejtave po prekin komunitete të ndryshme në mënyra të ndryshme, ekziston një nevojë gjithnjë e më e madhe për t’i bashkuar forcat, në vend që këto sfida të përballohen veçmas.
Kjo nuk do të thotë se çdo lëvizje ka të njëjtat prioritete apo qasje. Do të thotë të njohim pikat ku përpjekjet dhe sfidat tona ndërthuren, të mësojmë nga njëra-tjetra, të ndajmë njohuritë dhe burimet dhe të tregojmë solidaritet kur të drejtat vihen në pikëpyetje.
Siç u shpreh një nga mesazhet që doli nga takimi: “Veprimi kolektiv nuk mund të ketë kufij”.
Prandaj, ndërtimi i aleancave nuk ka të bëjë vetëm me reagimin ndaj sfidave. Ka të bëjë me ndërtimin e marrëdhënieve, besimit dhe solidaritetit përpara se të kemi nevojë për to. Ka të bëjë me krijimin e hapësirës për përvoja të ndryshme dhe gjetjen e pikave të përbashkëta rreth vlerave që na bashkojnë: barazisë, dinjitetit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Takimi na rikujtoi gjithashtu se ndryshimi domethënës ndërtohet përmes marrëdhënieve – në nivel lokal, rajonal dhe përtej kufijve. Kur lëvizjet ndërlidhin njohuritë, përvojat dhe burimet e tyre, ato mund të krijojnë mundësi të reja për veprim kolektiv dhe për t’u mbështetur te njëra-tjetra.
Nga veprimi lokal te ndikimi kolektiv, ndërtimi i aleancave do të thotë të njohim se të drejtat tona janë të ndërlidhura dhe se solidariteti mund t’i bëjë lëvizjet tona më të fuqishme.
