Nga 2 deri më 6 nëntor 2026, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), si pjesë e Rrjetit Mbikëqyrës të Buxhetimit Gjinor (RrMBGj), mori pjesë në Javën Evropiane të Barazisë Gjinore në Bruksel, Belgjikë. Gjatë kësaj jave, RrMBGj zhvilloi një sërë takimesh avokuese me institucionet e Bashkimit Evropian (BE) dhe UN Women. RrGK u përfaqësua nga Elirjeta Beka, Zyrtare për Fuqizimin Ekonomik të Grave dhe Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor.
Qëllimi i vizitës ishte avancimi i barazisë gjinore dhe buxhetimit të përgjegjshëm gjinor (BPGj) në Kornizën e ardhshme Financiare Shumëvjeçare (KAFSh) të BE-së, procesin e zgjerimit dhe Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë.
Takimet avokuese me institucionet e Bashkimit Evropian
Më 3 nëntor, RrMBGj u takua me Rosalie Boonen dhe Symela Tsakiri nga Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore e Komisionit Evropian (DG ENEST). Takimi u fokusua në integrimin e perspektivës gjinore në investimet rajonale, financimin klimatik dhe mundësitë e ardhshme të financimit të shoqërisë civile.
Më 4 nëntor, RrMBGj u takua me Eleanor Remo James nga Drejtoria e Përgjithshme për Çështje Buxhetore e Parlamentit Evropian dhe Anna Dorottya Zsoldos nga Sekretariati i Komisionit për Kontroll Buxhetor (CONT). RrMBGj prezantoi sfidat e integrimit të BPGj-së në sistemet e menaxhimit të financave publike në rajon, duke theksuar nevojën për transparencë buxhetore, monitorim të shpenzimeve publike dhe raportim mbi ndikimin e tyre në barazinë gjinore.
Kosova në Konferencën Ndërkombëtare për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor
Më 5 nëntor, RrGK mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor, të organizuar nga UN Women dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Belgjikës, në partneritet me Komisionin Evropian dhe Presidencën Irlandeze të Këshillit të BE-së.
Diane Elson, eksperte ndërkombëtare e BPGj-së dhe folëse kryesore e konferencës, veçoi Komunën e Prishtinës si shembull të praktikës së mirë në zbatimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor. Ajo prezantoi përvojën e komunës në mbështetjen e fuqizimit ekonomik të grave nga zonat rurale, përmes krijimit të tregjeve të lëvizshme dhe sigurimit të hapësirave për shitjen e produkteve të tyre. Elson theksoi gjithashtu rëndësinë e rolit të shoqërisë civile në monitorimin e buxheteve publike dhe në mbajtjen e institucioneve qeveritare përgjegjëse për përmbushjen e zotimeve të tyre për barazi gjinore.
Edi Gusia, Drejtore Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, prezantoi përvojën e Kosovës në institucionalizimin e BPGj-së si obligim ligjor, duke veçuar investimet në mbështetjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, strehimoreve, bursave në fushat STEM, fuqizimit ekonomik të grave dhe tranzicionit energjetik.
Në panelin “Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor në kuadër të procesit të para-anëtarësimit”, Elirjeta Beka prezantoi analizën rajonale të RrMBGj-së për Planin e Rritjes së BE-së, të realizuar me mbështetjen e ADA dhe Sida. Analiza gjeti se vetëm 1% e mbi 7 miliardë eurove të planifikuara në kuadër të Agjendave të Reformave të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë lidhen drejtpërdrejt me barazinë gjinore, ndërsa 2% në mënyrë të tërthortë.
Beka theksoi nevojën për integrimin e BPGj-së në Agjendat e Reformave, përcaktimin e indikatorëve të matshëm për barazinë gjinore, transparencë dhe llogaridhënie në shpenzimin e fondeve të BE-së, publikimin e deklaratave vjetore për buxhetimin gjinor dhe përfshirjen e shoqërisë civile në monitorimin e reformave.
Forcimi i bashkëpunimit me UN Women
Më 6 nëntor, RrMBGj u takua me UN Women për të diskutuar bashkëpunimin dhe avokimin e përbashkët për integrimin e barazisë gjinore në KAFSh të BE-së dhe Agjendat e Reformave, si dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile në monitorimin e financave publike.
Vizita kontribuoi në forcimin e bashkëpunimit me institucionet evropiane për avancimin e financimit të përgjegjshëm gjinor.
