Aktivistet Marrin Pjesë në Forumin Global të Presidentes për Gratë, Paqen dhe Sigurinë  

Të bashkuara nga përvojat e përbashkëta dhe përkushtimi për të ndërtuar paqe të qëndrueshme, aktiviste të të drejtave të grave, zyrtarë të lartë qeveritarë, përfaqësues të BE-së, OKB-së dhe NATO-s, si dhe të mbijetuara nga konflikte të ndryshme anembanë botës, u mblodhën në Prishtinë më 2-3 qershor për Forumin e tretë vjetor Global për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të organizuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Dr. Vjosa Osmani Sadriu. 

Presidentja Osmani Sadriu hapi Forumin me një të vërtetë të fuqishme: paqja nuk është një gjendje pasive; ajo ndërtohet, gur pas guri, përmes solidaritetit, kujtesës dhe vendosmërisë. 

Në fjalimin e saj kryesor, ajo solli jo vetëm politika, por edhe poezi të lindura nga dhimbja dhe qëllimi. 

“Nuk flasim për paqen nga një distancë,” tha Presidentja Osmani Sadriu. “Flasim për paqen nga pesha e kujtesës me një ndjenjë të detyruar përgjegjësie dhe për të përhapur mesazhin: Kurrë më,” duke theksuar se paqja nuk mund të jetë e qëndrueshme pa udhëheqjen e grave. 

Paqja nuk është ajo që ndodh kur pushon zjarri, theksoi ajo. Ajo është një proces. Presidentja foli për mënyrën se si sulmet kibernetike janë bërë fusha e re e betejës, duke theksuar nevojën për mjete të reja për ndërtimin e paqes dhe duke e vendosur bazën për temën e Forumit “Kodi i Sigurisë për Gjeneratën Tonë”. 

Ajo theksoi: “Paqja është çështje vullneti, guximi dhe zgjedhjeje” dhe se shprehja “kurrë më” nënkupton zgjedhjen e dialogut në vend të armëve – jo vetëm pas përfundimit të një konflikti, por edhe për të parandaluar luftërat e ardhshme. 

Rrëfimi si formë e shërimit, fuqizimi përmes dëshmive dhe solidariteti ndërmjet grave ishin tema kyçe që u ngritën, duke nisur me ndarjen e Medaljes Presidenciale për Nënat e Srebrenicës, për guximin e tyre gjatë gjenocidit në Bosnje. Përmes rrëfimit të tyre, ne së bashku njohëm dhimbjen e tyre, nderuam forcën dhe lavdëruam kërkimin e vazhdueshëm për drejtësi. 

Brenga për traumën psikologjike afatgjate dhe atë ndërbreznore jehoi përgjatë tërë konferencës, me ndikimet e vazhdueshme të dhunës mbi gratë dhe fëmijët e tyre që dolën si çështje të përbashkëta në mbarë botën. 

“Trauma nuk largohet kur ndalet lufta”, theksoi Sh.S. Sir Rodney Williams, Guvernatori i Përgjithshëm i Antigua dhe Barbuda. “Ajo përhapet në jetën e përditshme të komuniteteve tona”. Ai shtoi se konflikti mund të “shthurë strukturën e shoqërisë, dhe ne shohim rezistencën e grave që e mbajnë këtë strukturë të bashkuar”, duke nënvizuar rolin e grave në mbrojtjen e mirëqenies së komuniteteve, si dhe aftësinë dhe këmbënguljen e tyre përballë vështirësive. 

Roli kyç i grave dhe shoqërisë civile, veçanërisht i organizatave të grave, në ndërtimin e paqes dhe mbrojtjen e atyre që preken më shumë nga lufta, ishte një temë e përsëritur përgjatë Forumit, ashtu si edhe nevoja urgjente për të forcuar partneritetet me shoqërinë civile dhe për ta përfshirë atë në të gjitha diskutimet lidhur me ligjet, politikat dhe zbatimin e tyre. Disa organizata anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) morën pjesë aktivisht, duke ndarë ekspertizën e tyre të gjerë dhe përvojën shumëvjeçare nëpërmjet paneleve dhe diskutimeve të ndryshme. 

Drejtoresha Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, ndau mënyrën se si gratë janë organizuar vazhdimisht për paqe, madje edhe nën kërcënimin e snajperëve të Millosheviqit gjatë viteve ’90. Gjatë një paneli mbi “Paqen e Qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor”, ajo rikujtoi rolin kyç të Koalicionit për Paqe të Grave, përmes të cilit RrGK dhe Rrjeti i Grave në të Zeza nga Serbia bashkuan gra të ndryshme nga të dyja vendet. “Ne u kemi dërguar letra të përbashkëta [Negociatorit Kryesor] Ahtisaari dhe akterëve të tjerë të përfshirë në negociatat zyrtare Kosovë-Serbi”, tha ajo. Ajo theksoi edhe rëndësinë e kërkimfaljes së parë publike për krimet e kryera në emër të tyre nga ana e Grave në të Zeza. E transmetuar në RTV21, kjo kërkimfalje përfaqësoi një moment kthyes në procesin e faljes, shërimit dhe ndërtimit të besimit. 

Duke reflektuar mbi situatën e tanishme dhe kundërsulmet globale ndaj të drejtave të grave, Rogova deklaroi: “Gratë janë të fuqishme. Gratë janë të guximshme. Kjo është arsyeja pse ekziston lëvizja anti-gjinore.” 

Me këpucët e saj të kuqe, Rogova bëri thirrje për veprim të përbashkët – duke ftuar gratë të bashkohen dhe të veshin këpucë të kuqe çdo të martë – një simbol i fuqizimit dhe forcës në unitet. Ajo deklaroi: “Qëndrojmë me këpucë të kuqe për të shprehur solidaritetin ndërmjet grave. Pa solidaritet, nuk ka rrugë përpara.” 

Shumë diskutime u përqendruan në rëndësinë që gratë të kenë “një vend në tryezë”, veçanërisht në kuadër të Dialogut të vazhdueshëm Beograd-Prishtinë. Gjatë moderimit të panelit “Ndërtimi i Paqes në Shekullin XXI: Çfarë Kërkohet?”, Ambasadorja Nancy Soderberg, Drejtoreshë e Lartë për Kosovën në Institutin Kombëtar Demokratik, u ndal te thirrja e Shirley Chisholm që gratë, nëse nuk janë të ftuara, të “sjellin një karrige palosëse”. Duke e zhvilluar më tej këtë ide, ajo përfundoi: “Ajo që po dëgjoj sot, është se gratë nuk duhet të kërkojnë më – por ta marrin vetë vendin në tryezë.” 

Një rekomandim tjetër kyç që doli nga Forumi ishte nevoja urgjente që BE-ja, NATO dhe qeveritë të ndërmarrin hapa konkretë dhe të zhvillojnë një strategji të qartë – një “Kod të Ri të Sigurisë” – për të adresuar luftën teknologjike që synon mendjet e njerëzve. Si ngacmimi kibernetik ashtu edhe dezinformimi u identifikuan si rreziqe serioze për shoqërinë, me dhunën digjitale që i prek në mënyrë disproporcionale gratë dhe vajzat. Dezinformimi dhe “lufta me informacione”, në një epokë të rritjes së vrullshme të inteligjencës artificiale, u përshkruan nga shumë pjesëmarrëse si mjete lufte dhe kërcënime për demokracinë. Natyrshmëria e dyfishtë e teknologjisë – si mjet për njerëzimin dhe mjet për dëmtim – u shfaq si temë përsëritëse gjatë Forumit, duke theksuar nevojën kritike për rregullim dhe mbrojtje të duhur. 

Aktiviste nga disa organizata anëtare të RrGK-së ndanë njohuritë dhe përvojat e tyre personale gjatë Forumit, duke përfshirë: 

  • Feride Rushiti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, e cila foli në panelet “Fuqizimi si Rrugë drejt Paqes” dhe “Drejt Drejtësisë: Fuqia dhe Historia e të Mbijetuarave”, duke e përshkruar mbijetesën jo si fund, por si fillim. Fjalët e saj mbanin peshën e plagëve të padukshme, duke theksuar se dinjiteti dhe drejtësia nuk janë opsionale – ato janë thelbësore. 
  • Veprore Shehu, Drejtore Ekzekutive e Medica Kosova, kontribuoi në panelin “Nga Hiçgjëja drejt Demokracisë: Historia e Transformimit të Kosovës.” Zëri i saj nuk foli vetëm për rindërtimin e një vendi, por për rimendimin e tij – me udhëheqjen e grave si gurthemele të zhvillimit demokratik. Ajo dëshmoi për fuqinë e një fillimi të ri, së bashku. 
  • Mirlinda Sada, Drejtore Ekzekutive e Medica Gjakova, dha një kontribut emocionalisht të thellë në panelin “Shërimi pas Traume: Të Mbijetuarat Rimarrin Jetën e Tyre.” Me një forcë të heshtur, ajo tregoi histori të të mbijetuarave – të thyera, por të pathyeshme – që po rimarrin gëzimin, agjencinë dhe zërin e tyre. Fjalët e saj kujtuan të gjithëve se shërimi është politik, jo vetëm personal. 
  • Abetare Gojani, Drejtore Ekzekutive e The Foundation House, ndau përvojën e saj në panelin “Mbrojtëset Digjitale: Teknologjia, Mbrojtja dhe të Drejtat në Zonat e Konfliktit”. 

Së bashku, këto lidere ndërthurën fijet e ekspertizës për të ndërtuar një “kod të ri të sigurisë” për botën: një botë ku kujtesa frymëzon veprimin, solidariteti shërben si udhërrëfyes dhe paqja është feministe dhe e qëndrueshme. 

Teksa Forumi u përmbyll, një mesazh u dëgjua fuqishëm: paqja nuk është thjesht një ëndërr – ajo është një detyrë. Dhe gratë nuk po presin – ato tashmë janë në krye. 

Forumi u mbajt në kuadër të shënimit të 25-vjetorit global të miratimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e cila ka hedhur themelet për Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Këtij përvjetori i bashkohet edhe 26-vjetori i përfundimit të luftës në Kosovë – që nga atëherë, aktivistet për të drejtat e grave kanë përdorur vazhdimisht këtë rezolutë si bazë për të kërkuar përfshirje më të madhe të grave në proceset e paqes, si në Kosovë ashtu edhe në tërë rajonin. Duke u mbështetur në përvojën dhe ekspertizën e tyre të jashtëzakonshme, udhëheqëset për paqe nga Kosova synuan të ofrojnë zgjidhje globale për sfidat e sotme përmes dialogjeve të hapura ndërmjet akterëve të ndryshëm gjatë këtij Forumi.