Antropologia Janet Reineck boton librin “Një amerikane në Kosovë”

Më 1 shtator 2022 antropologia amerikane Janet Reineck publikoi në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë librin “Një amerikane në Kosovë”- libër që ia dedikoi shqiptarëve për siç tha “hapjen e një bote të re për të.”

Reineck jetoi me shqiptarët e Kosovës për tetë vjet, midis vitit 1981 dhe 1997, fillimisht si antropologe, duke bërë hulumtime dhe më vonë si punonjëse e ndihmës humanitare.

“Jetën shqiptare e kuptova ngadalë, përmes të gjitha shqisave të mia; kam kërcyer për orë të tëra me vajzat e fshatit dhe ua kam dëgjuar sekretet deri në orët e vona të natës, kam fshirë oborrin në agim, kam larë flokët me kovë e tas, kam mbushë gota me çaj për mysafirët, kam pjekur speca, kam qitë fli me fqinjët e mi, jam ulur këmbëkryq pranë zjarrit me pleqtë dhe kam mësuar prej urtësisë së tyre,” shkruan zonja Reineck në faqen e saj të internetit kushtuar familjeve shqiptare që e mirëpritën atë në shekullin e kaluar.

Ne e zhvilluam një intervistë me zonjën Reineck që tani jeton në Los Angjelos të SHBA-së. Ajo tha se libri është i dedikuar për njerëzit jashtë Kosovës që duan të dinë më shumë për popullin shqiptar dhe traditat e tij, por edhe për shqiptarët – si një mundësi për të rishikuar stilin tradicional të jetesës dhe për të mësuar rreth rajoneve të largëta që mund të mos i kenë vizituar kurrë.

Zonja Reineck vizitoi Kosovën këtë verë pas 20 vjetësh dhe kështu i përshkruan përshtypjet e saj. ”Standardi i jetës është rritur. Është e jashtëzakonshme se çka kanë arritur kosovarët gjatë këtyre 20 vjetëve. Është një kombinim i euforisë që erdhi pas luftës. Ne atëherë e pamë një kthim mitik.” 

Por, zonja Reineck është e brengosur me migrimin e sotëm të kosovarëve. “Shtrohet pyetja se cila është ëndrra e Kosovës tash. Ishte çlirimi, pavarësia, por cila është ëndrra tash.”

Ajo mendon se Kosova ka shumë për t’i ofruar njerëzve të vet, ndërsa shprehet se pozita e gruas është përmirësuar ndjeshëm.

Në këtë kuadër ajo thotë se rol të madh kanë luajtur organizatat për të drejtat e grave. Reineck kujton se fillet e punës së saj si aktiviste për të drejtat e grave i nisi në të njëjtën kohë me drejtoren e tashme ekzekutive të RrGK-së Igballe Rogova, në vitet e ’80-ta.

“Jam rritur me Igon gjatë viteve 80-ta dhe 90-ta, kur ajo filloi të punojë në Has më Motrat Qiriazi dhe unë në Viti. Dua t’ju them se Igo është një lidere e jashtëzakonshme në çdo aspekt dhe në të njëjtën kohë po trajnon gratë e tjera që të jenë lidere. “

E pyetur se përse pas kaq vitesh vendosi të shkruajë libër për Kosovën ajo shprehet.

“Unë i takoj Kosovës, zemra ime rrah për Kosovën. Kur i vizitova fshatrat këtë verë kam qarë. Dhe unë jam person që kurrë nuk qaj, mund të shkojë një vit pa qarë. Është e mahnitshme lidhja ime me Kosovën, ajo është shtëpia ime shpirtërore. Jam shumë me fat që kam kaluar 8 vjet atje. Unë ndjehem aq e afërt me njerëzit atje, sa edhe me familjen time, ndoshta edhe më e afërt.”