Art Without Limit fuqizon personat me aftësi të kufizuara përmes artit

Organizata anëtare e RrGK-së Art Without Limit (AWL) me sukses ka përmbyllur nismën “Fuqizimi i personave me aftësi të kufizuara përmes artit.” Ndër rezultatet konkrete të nismës, është mbajtja e edicionit të dytë të festivalit të filmit ”Art Without Limit International Film Festival,” i cili i dedikohet personave me aftësi të kufizuar.

Në këtë festival janë prezantuar 50 filma nga vende të ndryshme të botës të ndarë në kategori të ndryshme me tema edukative për autizmin, sindromën Down, për personat me dëmtime fizike, të verbërit si dhe filma që bëjnë  thirrje për ndaljen e dhunës në familje për të drejtat e grave në veçanti të atyre me nevoja të veçanta. Festivali i filmit “Art Without Limit International Film Festival” ka qenë i hapur për audiencën e gjerë.

“Në këtë rast ne kishim planifikuar që festivalin tone ta përcjellin rreth 900 persona për tri ditë aq vende sa i ka Kino Armata, mirëpo ne patëm publik gjate gjithë ditës nga ora 11:00 deri ne 20:00 dhe gjithsej kishim 1500 persona të cilët e ndoqën festivalin dhe ekspozitën,” thotë Ganimete Sava, menaxhere e AWL.

Ekspozita e hapur gjatë festivalit është rezultat i punëtorisë me shtatë persona me aftësi të kufizuar të cilët u trajnuan në fushën e fotografisë dhe realizuan ekspozitën me rreth 10 fotografi profesionale.

AWL po ashtu ka zhvilluar takime me drejtuesit e Komisionit Qendror Zgjedhor për të mundësuar votimin e të gjithë personave me aftësi të kufizuar.

Për të rritur vetëdijesimin për heqjen e pengesave që këtë persona hasin gjatë votimit, disa persona u fotografuan duke shkuar në qendrat e tyre të votimit në Prishtinë gjatë zgjedhjeve të kaluara lokale.

Kjo nismë e “Art Without Limit” është përkrahur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, përmes rundit të 15-të të Fondit të Grave të Kosovës (FGK).