Artpolis organizon edicionin e gjashtë të FemArt

 Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet ka organizuar për herë të gjashtë Festivalin FemArt nga data 25 – 30 Maj, 2018. FEMART – Festivali i Artisteve dhe Aktivisteve që çdo vit angazhon me qindra artiste dhe aktiviste nga mbarë bota të cilat shfaqin punën e tyre kreative përmes: Shfaqjeve Teatrale, Filmave (dokumentarë, filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë), Ekspozitave, Performancave, Koncerteve, Ligjëratave, Punëtorive, Paneleve të Diskutimeve dhe Prezantimeve të ndryshme në formë të artit. Me moton TI UDHËHEQË FemArt inkurajoi qëndrueshmëri dhe solidaritet për gratë dhe burrat të cilëve ju shkelen të drejtat themelore për shkak të përkatësive të tyre etnike, racore, preferencave seksuale dhe pozitave shoqërore.

        Programi artistik i Festivalit FEMART ka adresuar tema nga më të ndryshmet si: Të Drejtat e njeriut dhe Lëvizjet Feministe, Të Drejtat Seksuale dhe Shëndetin Ripordhues, Drejtësinë Tranzicionale dhe Ndërtimin e Paqes, Të Drejtat e Komunitetit LGBTQI+, Fuqizimin e Grave, Dhunën Kundër Grave, përfshirë promovimin e storieve të suksesshme rajonale dhe globale të grave.
          Festivali është një platformë për zhvillimin dhe paraqitjen e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave, si dhe për të shërbyer si urë lidhëse për ndërtimin e paqes dhe dialogut në rajon. Këtë vit u mbajtën mbi 40 aktivitete në tri komuna të Kosovës: Prishtinë, Mitrovicë e Veriut dhe Ferizaj.
         Në kuadër të këtij edicioni me 28 maj zuri vend edhe “Muzeu Virtual i Grave”, muze ky i cili paraqitet si një entitet dixhital që i merr karaktersitikat e një muzeu, por me një rol më të veçantë për promovimin e vlerave të aktivizmit paqësor të grave të cilat mbrojnë të drejat e njeriut. Ky muze, i cili është i pari i këtij lloji në Kosovë, është një platformë interactive që sjellë rrëfime frymëzuese dhe jetësore, fotografi apo edhe video të grave aktiviste.
       Aktivistet, Safete Rogova, Igballe Rogova, Lepa MlaÄ‘enović, Tatjana Nikolić, Fjolla Vukshinaj, More Raça dhe Manushaqe Nura, ishin penalistet që treguan historitë e tyre se si e kanë filluar rrugëtimin e aktivizmit. Gjatë kësaj ngjarje, Lepa MlaÄ‘enović aktiviste nga Serbia u shpreh se, “ndihet tejet e lumtur dhe e emocionuar që është në Prishtinë në mesin e feministeve fantastike.” Ajo një rëndësi të veçantë i kushtoi kontributit shumëvjecar të Sevdije Ahmetit.
       Tutje Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) tregoi histori mbi aktivizmin e tyre gjatë vitetve ’90.
       “Bashkë me Safeten kemi punuar në shoqatën “Motrat Qiriazi” në vitet e ‘90-ta dhe nga fillimi kemi përfshirë edhe burra e djem pasi që e kemi ditur që nuk ndryshojmë rajonin e Hasit nëse punojmë vetëm me gra; duhet të punojmë bashkarisht që ta ndryshojmë këtë shoqëri,” u shpreh ajo. Rogova theksoi se solidariteti mes grave ishte ndihmesa më e madhe në atë kohë duke pasë parasysh që as atëherë e as sot nuk është e lehtë të jesh aktiviste.
      Kurse aktivistja dhe aktorja e njohur Safete Rogova tha se të flasësh për aktivizëm dhe feminizëm nuk bën të mos përmendet Sevdije Ahmetin dhe punën e saj me vite. Paneli vazhdoi tutje me rrëfime të jashtëzakonshme nga aktivistet ku edhe të pranishmit patën rast të bëjnë pytje të ndryshme.
     Ndërsa me 29 maj u organizua një konferencë me temën “Drejtësia për Gratë e Vrara në Kosovë” ku folës në këtë panel ishin, Atifete Jahjaga, Igballe Rogova, Annete M. Faith-Lihc, Sevdije Morina, Linda Sanaj, Hilmi Jashari, Vjosa Osmani, Valdete Idrizi, Arbërie Nagavazi, moderuar nga Ariana Qosaj-Mustafa. Ish-Presidentja Atifete Jahjaga hapi konferencën ku u shpreh se ndihet e zhgënjyer me institucionet përgjegjëse që nuk po arrijnë t’i prangosin, t’i dënojnë e t’i sjellin para drejtësisë me kohë kryerësit e këtyre veprave.
      “Jam e pikëlluar kur kujtoj gratë në Kosovë që humbën jetën në muajt dhe vitet e fundit si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tyre”, tha Znj. Jahjaga. Më tutje ajo tha se është fatkeqësi për shoqërinë dhe shtetin që gruaja në Kosovë, ende nuk është e sigurtë në shtëpinë e saj.
      Zëvendëskryeprokurorja e shtetit, Sevdije Morina, theksoi se dhuna ndaj grave nuk raportohet në masën e duhur. Morina tutje tha se sistemi i drejtësisë nuk duhet të luaj rolin e pajtuesit apo ndërmjetësuesit dhe nuk duhet të japë dënime të rënda për gratë që i vrasin burrat e tyre abuzues në vetmbrojte. 
 “Ka raste kur edhe gruaja e vret burrin, por këto raste ndodhin zakonisht pas abuzimit shumëvjeçar që u ka ndodhur atyre. Edhe në këto raste ka probleme, sepse kur një grua e vret partnerin pas abuzimeve të vazhdueshme duhet dalluar dhe trajtuar ndryshe, gjë që ende nuk e kemi bërë, sepse duhet edukim dhe trajnim i gjyqtarëve dhe prokurorëve”, u shpreh ajo.
Poashtu edhe Igballe Rogova tregoi një rast për të cilin është kërkuar përkrahje institucionale, por është refuzuar.
“Njoh një grua, është në Lipjan e cila është dhunuar për dy vite rradhazi, e që më pas e ka vrarë burrin e saj në vetmbrojte. A e dini sa vite burg i ka marrë ajo zonjë? 30 vite. Edhe pse kemi kërkuar disa herë që të i hiqet ndonjë vit nga denimi kjo gjë asnjë herë nuk ka ndodhur”, u shpreh ajo.
Rogova kujtoi edhe rastin e Diana Kastratit, e cila si pasojë e neglizhencës së institucioneve për të siguruar urdhër mbrojtjen, pas disa kërkesave të njëpasnjëshme, u vra nga burri i saj.
Ndër të tjerash, kritika të ashpra Rogova shfaqi për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili po promovon Kanunin, duke u shprehur që, “nuk ka lidhje nese gjuan me armë pasi që kanuni e lejojn”.
Tutje, konfernca ka vazhduar me debate ku edhe të pranishmit kanë pasur rast të bëjnë pytje.
Këtë vit festivali shënoi mbi 40 aktivitete në Prishtinë, Ferizaj dhe në Mitrovicën Veriore. Për informata më të detajuara rreth pjesëmarrëseve dhe programit mund të klikoni në faqen e internetit: www.femart-ks.com, ose në faqen e FemArt në Facebook: https://www.facebook.com/FemartPrishtina/.
Ky edicion i FemArt-it u mbështet nga donatorë, sponzorë medial dhe partnerë institucional të ndryshëm.