copyrights: Artpolis

Artpolis sjell “Monologjet e Vaginës” në Teatrin Oda

 Leximi skenik “Monologjet e Vaginës” kapi fuqishëm hapësirën e Teatrit Oda për të folur për një nga ‘misteret’ më të mëdha të jetës: Vaginën. E çfarë do të thoshte vagina juaj po të mund të fliste? “Monologjet e Vaginës” e shtron këtë e shumë pyetje të tjera.

Fillimisht shkruar nga Eve Ensler në vitin 1996, në mes të valës së tretë të feminizmit amerikan, “Monologjet e Vaginës” mori përvoja të jetës reale dhe i transformoi ato në një lojë episodike përplot mjeshtëri. Që nga fillet e saj, “Monologjet e Vaginës” u performua në shumë vende të botës. Me tematika që prekin seksualitetin, marrëdhëniet seksuale, dashurinë e abuzimin, shfaqja është po aq e dhimbshme sa është edhe e fuqishme.
Jo vetëm që leximi ndihmon për të nxitur bisedë rreth feminitetit, por gjithashtu tenton të ngritë vetëdijen rreth abuzimeve seksuale e dhunës në familje, që fatkeqësisht, janë përjetime të zakonshme për gratë.
Regjisorja e këtij leximi, Zana Hoxha Krasniqi, njëherazi Drejtore Ekzekutive e Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis, tha “se ishte koha ideale për të realizuar këtë lexim duke marrë parasysh se është 20 vjetori i teksit”. Tutje ajo deklaroi, “se përmes mënyrës së saj, drejtoi leximin për të komunikuar me gratë e sotme dhe për të inspiruar vajzat e reja që të duan trupin e tyre. Ndërsa, sa u përket djemve dhe burrave tha se ideja kryesore ka qenë për t’i inkurajuar që të kenë më shumë respekt për nevojat dhe individualitetin e partnereve të tyre”.
 “Monologjet e Vaginës” është lexim i rëndësishëm feminist që thekson vështirësitë që gratë durojnë çdo ditë. Gjithashtu, nxjerrë në pah dimensionet e ndryshme të mentalitetit të përbashkët që duhen tjetërsuar. Leximi skenik përbëhej nga skica të shumta, secila duke trajtuar tema të veçanta. Blogun e plotë mbi këtë lexim skenik mund ta lexoni duke klikuar këtu.