Avokimet që RrGK  mbështeti gjatë Nëntorit  

Përgjatë muajit nëntor Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka mbështetur aktivitete të ndërmarra me synim përparimin në zbatimin e të drejtave të njeriut.  

RrGK ishte në mesin e 153 përkrahësve të marshit “Një popull për Drejtësi” të organizuar më 5 nëntor në Prishtinë, në kërkim të drejtësisë për vdekjen e aktivistit Astrit Dehari.  

“Organizatat dhe personat e poshtë nënshkruar, kërkojnë ndriçimin e plotë dhe sa më të shpejtë të rrethanave të vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit. Kjo duhet të bëhet nga hetues dhe prokuror kredibil, të pavarur dhe profesional. Udhërrëfyes i këtij hetimi të ri duhet të jenë të gjeturat e ekspertëve nga Instituti i Lozanës. Objekt i hetimit dhe llogaridhënies duhet të jenë personat përgjegjës në gjithë zinxhirin institucional nga Qeveria, Policia, Drejtoria e Burgjeve, Prokuroria dhe Departamenti i Mjekësisë Ligjore”, thuhet në një pjesë të thirrjes për marshin i cili u mbajt në tre vjetorin e vdekjes së Deharit.  

Kurse, më 13 nëntor RrGK ka përkrahur letrën e dërguar Këshillit të Evropës, Asamblesë Parlamentare dhe Komitetit për Çështje Politike duke i bërë thirrje për të parandaluar përzgjedhjen e delegatit rus të Asamblesë Parlamentare Alexei Kondratiev në pozitën e raportuesit për Kosovën. Menjëherë pas këtij reagimi të më shumë se 40 organizatave të shoqërisë civile, Raportues i Këshillit të Evropës për Kosovë u zgjodh gjermani Peter Beyer 

Letrën e plotë mund ta lexoni KËTU.  

Në të po të njejtën ditë Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGj) ka kërkuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) që të zbatojë buxhetin e ndarë për strehimoret dhe për qendrat ditore për gratë të cilat i kanë mbijetuar dhunës, ashtu siç është e planifikuar në Buxhetin e Kosovës 2019.  

RrGK si organizatë anëtare e GSBGj-së ka mbështetur këtë letër, të cilën të plotë mund ta lexoni KËTU (e qasshme vetëm në gjuhen angleze) 

Kurse, më 29 nëntor RrGK u bashkua me rreth 40 organizata të shoqërisë civile, në kërkim të identifikimit të vendeve për strehim dhe menaxhimit të situatës nga Institucionet e Republikës së Kosovës, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve që u prekën nga tërmeti vdekjeprurës që goditi Shqipërinë më 26 nëntor.  

Klikoni KËTU për ta lexuar këtë letër të plotë.