Dragashi shembull i barazisë gjinore dhe mundësive të barabarta

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), me 22 shkurt, ishte për vizitë në komunën e Dragashit, për ta uruar znj. Arijeta Skeraj për pozitën e re si Kryesuese e Asamblesë Komunale.

Drejtorja ekzekutive e RrGK Igballe Rogova uroi znj. Skeraj për pozitën, ku mes tjerash tha se “Dragashi është bërë shembull i barazisë gjinore dhe mundësive të barabarta mes grave dhe burrave, e kjo na gëzon shumë”.

Në anën tjeter, znj. Skeraj e kujtoi mbështetjen e pakursyer që ajo ka marrë nga RrGK përmes takimeve të Lobit për Barazi Gjinore, iniciativë kjo e RrGK për të bashkuar gratë në politikë dhe ato aktiviste që së bashku të shtyjnë përpara nisma lokale drejtë barazisë gjinore.

Tutje, znj. Skeraj kujtoi që ishin pikërisht fjalët inkurajuese të znj. Rogova ato që e shtynë të vazhdoj garën e saj në politikë. Në takim prezente ishte edhe zyrtarja për barazi gjinore në Komunën e Dragashit znj. Lindita Piraj, e cila poashtu falenderoj znj. Rogova për punën dhe kontributin që ka dhënë në komunën e Dragashit, duke shtuar se “Takimet që ju bënit na kanë ndihmuar që edhe ne gratë e Dragashit të bëhemi pjesë e ndryshimeve në shoqëri, të mësojmë nga gratë dhe ta rrisim solidaritet mes neve grave, pa marrë parasysh se cilës parti politike i takojmë”.

Për këtë mbështetje, Kryesuesja e Kuvendit dhe gratë asambleiste të Kuvendit Komunal të Dragashit ndan dhuratë në shenjë mirënjohjeje për RrGK. 

Pas takimit me Kryesuesen e Asamblesë komunale dhe gratë asambleiste, përfaqësueset e RrGK u mirëpritën nga kryetari i komunës z. Bexhet Xheladini në zyrën e tij, i cili poashtu falenderoi RrGK dhe specifikisht znj. Rogova për kontributin që ka dhënë ndër vite për ta ngritur pozitën e gruas në Dragash.

Për këtë kontribut, Kryetari Xheladini ndau një Mirënjohje për znj. Rogova.

“Ne jemi falenderues për kontributin që ju keni dhënë në avancim të pozitës së gruas së Dragashit dhe për kontributin që keni dhënë ndaj grave asambleiste, prandaj në emrin tim dhe qytetareve të komunës u jemi falenderues”, u shpreh ai.