Bashkëpunim dhe Solidaritet: RrGK anëtarësohet në dy organizata ndërkombëtare feministe

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka zgjeruar bashkëpunimin që ka me organizata evropiane dhe botërore për të drejtat e grave, duke u anëtarësuar së fundmi në Lobin Evropian të Grave (EWL), si anëtare mbështetëse, si dhe në Shoqatën për të Drejtat e Grave për Zhvillim (AWID).

EWL përfaqëson më shumë se 2000 organizata në 26 shtete anëtare të BE-së, tre shtete kandidate, një shtet ish-anëtar i BE-së dhe një vend i Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë, si dhe 17 organizata në të gjithë Evropën që përfaqësojnë diversitetin e grave dhe vajzave në mbarë Evropën, ndërsa AWID momentalisht ka mbi 6,000 anëtarë që vinë nga më shumë se 180 vende.

Bashkimi dhe lidhja me lëvizje më të gjëra feministe është shumë e rëndësishme për punën e RrGK-së, organizatave anëtare, si dhe partnerëve tanë. Ky bashkëpunim me rrjete botërore do t’i mundësojë si RrGK-së, po ashtu edhe partnerëve që të ndajnë informata për gjendjen në Kosovë me organizata për të drejtat e grave jashtë Kosovës, si dhe të bashkëpunojë me to për avokime dhe nisma të ndryshme me qëllim avancimin e barazisë gjinore.

Bashkëpunimi i ngushtë me anëtaret e tjera të EWL-së për të mbrojtur interesat e grave, si dhe bashkimi i sërishëm me një organizatë ndërkombëtare feministe për mbrojtjen e të drejtave të grave, siç është AWID-i, është tejet i rëndësishëm për arritjen e misionit të RrGK-së- që është fuqizimi i lëvizjes feministe në Kosovë, regjion dhe më gjerë.

RrGK çmon EWL-në dhe AWID-in si partnerë me të cilët do të punojë së bashku drejt përparimit dhe fuqizimit të grave për t’u përfshirë në debatet aktuale në Evropë dhe më gjerë, si dhe për forcimin e bashkëpunimit me rrjetet e tjera botërore të grave.

Krijimi dhe mirëmbajtja e marrëdhënieve ndërmjet organizatave për të drejtat e grave në Kosovë dhe në Evropë është po ashtu e parashikuar në nismën e RrGK-së “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.

LEXO EDHE: Iniciativa e re synon të fuqizojë pjesëmarrjen e grave në politikë